Francë, vazhdon kërkimi terroristëve

Policia franceze është duke vazhduar kërkimet në veri të vendit për kapjen e dy të dyshuarve kryesorë për sulmin terrorist të së mërkurës në Paris, ndaj revistës satirike “Charlie Hebdo”, me ç’rast u vranë 12 persona, ndërsa 11 të tjerë mbetën të plagosur nga plumbat e kallashnikovëve.

Bota

09/01/2015 09:22

Operacioni policor është përqendruar në verilindje të Parisit, në afërsi të qytetit Villers-Cotterets, ku gjatë të enjtes dy vëllezërit e dyshuar për sulmin terrorist, sipas dëshmitarëve, kanë grabitur edhe një pompë të gazit, ku janë furnizuar me naftë dhe ushqime.

Franca gjatë të enjtes ka qenë në zi kombëtare për nderë të 12 të vrarëve në zyrat e revistës satirike, e cila ishte bërë cak i sulmit të militantëve islamikë që prej vitit 2011, kur “Charlie Hebdo” botoi karikaturën e Profetit Muhamed, ndërsa javën e kaluar karikatura e fundit e botuar ishte ajo e liderit të “Shtetit Islamik”, Ebu Bekr el-Bagdadi.

Nëntë persona janë arrestuar deri më tani, ndërsa kërkimet më të mëdha po bëhen për kapjen e dy vëllezërve Cherif dhe Sid Kouachi, si të dyshuar kryesor të sulmit terrorist kundër gazetarëve në Paris, akt ky barbar kundër lirisë së të shprehurit dhe i dënuar nga e gjithë bota demokratike.

Pas masakrës në zyrat e revistës ku po mbahej mbledhja e redaksisë, sulmuesit islamikë kishin vrarë në ikje e sipër edhe dy policë, duke bërtitur se “ky është mesazhi i Al Qaedas së Jemenit”, dhe se “kjo është hakmarrje për Profetin Muhamed”.