Franca: Sanksionet e reja kundër Iranit mund të destabilizojnë Lindjen e Mesme

Ministri i Jashtëm francez Jean-Yves Le Drian tha të mërkurën se nëse Shtetet e Bashkuara vendosin sanksione të forta kundër Iranit, ka rrezik të destabilizohet më tej Lindja e Mesme.

Bota

23/05/2018 18:00

Sekretari amerikan i Shtetit Mike Pompeo kërcënoi këtë javë se do të ushtrohet “presion i pashembullt financiar” mbi Iranin nëse nuk ndërron sjellje, ndërsa parashtroi një listë me 12 kërkesa për një marrëveshje të re bërthamore.

Ministri Le Drian tha për radion “France Inter” se vendosja e sanksioneve të reja nuk i shërben dialogut, por thjesht do të fuqizojë elementët konservatorë në Iran, si dhe do të dobësojë Presidentin Hassan Rouhani.

“Ky qëndrim mund të vërë në rrezik edhe më të madh të gjithë rajonin,” tha ai.

Përveç programit bërthamor të Iranit dhe aktivitetit të tij në rajon, zoti Pompeo u zotua të sigurojë edhe lirimin e pengjeve amerikane.

Ai tha të martën se “e gjithë qeveria amerikane” po punon me ngulm dhe po përdor çdo pistë dhe mekanizëm.

“Përmenda disa emra dje. Ka plot të tjerë në të gjithë botën që nuk i përmenda në komente,” tha Sekretari i Shtetit në konferencën e tij të parë për shtyp.

Zoti Pompeo tha se Irani nuk ka liruar pengjet amerikane, përfshirë Baquer Namazi, Siamak Namazi, Xiyue Wang dhe Bob Levinson, edhe pas lehtësimeve që siguroi nga Shtetet e Bashkuara përmes marrëveshjes bërthamore të 2015.

Zoti Pompeo bëri krahasime me periudhën e marrëdhënieve të ngrira me Korenë e Veriut disa muaj më parë, duke folur për lirimin disa ditë më parë të pengjeve amerikane që mbante Pheniani.

“Po punojmë në të gjitha pistat e mundshme për t’i kthyer pengjet pranë familjeve,” tha kryediplomati amerikan në përgjigje të pyetjes nga Zëri i Amerikës.

Familjet e disa pengjeve amerikane shqetësohen se vendimi i Uashingtonit për t’u tërhequr nga marrëveshja me Iranin mund ta vështirësojë lirimin e të afërmve të tyre.

Më 8 maj, Presidenti Trump njoftoi se Uashingtoni do të tërhiqej nga marrëveshja bërthamore me Iranin. Sipas termave të marrëveshjes së 2015, Irani bie dakord të ndërmarrë hapa për të kufizuar programin bërthamor, në shkëmbim për lehtësimin e sanksioneve.

Franca dhe vendet e tjera që kanë nënshkruar marrëveshjen, Britania, Kina, Rusia dhe Gjermania janë shprehur se duan që marrëveshja të mbetet në fuqi.

Shtetet e Bashkuara kanë kërkuar lirimin e menjëhershëm dhe pa kushte të amerikanëve të ndaluar ose që janë zhdukur në Iran.

Një prej tyre është 81-vjeçari Namazi, i cili thuhet se është në gjendje jo të mirë shëndetësore.

“Jemi të shqetësuar nga keqësimi i gjendjes së tij shëndetësore. E dimë se ka nevojë për kujdes të menjëhershëm shëndetësor,” tha zëdhënësja e Departamentit të Shtetit Heather Nauert në shkurt. Ajo shtoi se Uashingtoni ka përsëritur thirrjet që Teherani të lirojë djalin e Baquer Namazit, Siamak Namazi, i cili po ashtu është ndaluar nga autoritetet iraniane.

Në gusht 2016, Wang, një shtetas amerikan, i lindur në Kinë, u arrestua në Iran gjatë kërkimeve që po bënte për tezën e doktoraturës në Universitetin Princeton. Ai është dënuar me dhjetë vjet burgim për spiunazh.

Levinson, ish-agjent i FBI-së figuron i zhdukur prej më shumë se 10 vjetësh.

Zyrtarët Iranianë thanë se mund të jenë të hapur për të diskutuar lirimin e pengjeve, nëse Shtetet e Bashkuara ndryshojnë qëndrimin armiqësor dhe komunikojnë me respekt me Iranin./voa