Franca në çerekfinale, me spektakël eliminon Messin dhe Argjentinën

Kombëtarja e Francës është bërë skuadra e parë që ka siguruar çerekfinalen e Kupës së Botës ‘Rusia 2018’, duke eliminuar Argjentinën e Lionel Messit.

Sport

30/06/2018 17:53

‘Gjelat’ në qytetin e Kazanit kanë mposhtur 4:3 Argjentinën, në një ndeshje shumë interesante që dhuroi edhe përmbysje në rezultat e gola të bukur.

Fillimi i ndeshjes ishte me një ritëm jashtëzakonisht të lartë, me Argjentinën që po mundohej të diktonte lojën përmes posedimit, por me Francën që dilte rrezikshëm në kundërsulme.

Pikërisht një kundërsulm i tillë solli edhe fitimin e një penalltie nga Kylian Mbappe, që u nis nga mesi i fushës, për t’u ndalur vetëm me ndërhyrje të palejuar në zonën e Argjentinës nga Rojo.

Këtë penallti në gol e shndërroi ylli i Atletico Madrid, Antoine Griezmann.

Pak minuta më vonë, Mbappe vuri sërish në vështirësi mbrojtjen e Argjentinës, kur e penguan pak centimetra larg zonës.

Këtë goditje e mori përsipër për ta ekzekutuar Paul Pogba, që gjuajti fuqishëm por mbi portën kundërshtare.

Fundi i pjesës së parë solli çlirim për Argjentinën dhe mijëra tifozë të tyre të pranishëm në stadium, kur Angel Di Maria me një goditje të bukur nga largësia, barazoi për 1:1.

Ky gol saktësisht erdhi në minutën e 41’-të të ndeshjes.

Një fillim po aq të mirë sa fundin e pjesës së parë, Argjentina e kishte edhe në pjesën e dytë.

Luhej minuta e 48’ e ndeshjes kur finalistët e botërorit të fundit arritën të përmbysin në 2:1 rezultatin me golin e shënuar nga Mercado, që devijojë aksidentalisht një goditje të Lionel Messit.

Por, pjesa e mbetur e pjesës së dytë i takoi Francës, që me Mbappen që kishte ditën më të mirë, arriti të përmbyste gjithçka.

Pavarad fillimisht barazoi në 2:2 me një gol maestral pas një asistimi që mori nga Lucas.

Pas këtij goli, ishte koha për “Mbappe-show’. 19 vjeçari arriti të shënonte dy gola të shpejtë për epërsinë 4:2 të Francës.

Golat nga Mbappe u shënuan në minutën e 64’ dhe 68’ të ndeshjes.

Deri në fund të ndeshjes, Argjentina arriti të ngushtonte epërsinë kur Sergio Aguero shënoi në minutën e 92′ për 4:3, por kjo ishte e gjitha që u pa në këtë super-sfidë me Francën që shkon tutje, dhe me Argjentinën që këtu përfundon botërorin, e me Messin që ndoshta zhvilloi botërorin e fundit me kombëtaren.

Franca në çerekfinale do të takohet me fituesin e përballjes Uruguai – Portugali./Lajmi.net/