Franca ndalon hiperseksualizimin

Garat e bukurisë për vajzat nën moshën 16 vjeçare do të ndalohen në Francë. Organizatorët e këtyre garave do të mund të dënohen deri në dy vjet burgim dhe 30.000 euro gjobë.

Lifestyle

18/09/2013 17:06

Dhoma e Lartë e Parlamentit Francez ka votuar për t’i bërë të jashtëligjshme garat e bukurisë për vajzat nën moshën 16 vjeçare, duke i ashpërsuar dënimet me burg dhe me të holla, me qëllim të parandalimit të “hiperseksualizimit” të të miturave.

Senati e votoi propozimin të mërkurën, pasi Chantal Jouanno, ish ministrja e sportit në qeverinë e qendrës së djathtë të Nicholas Sarkozy, e kishte propozuar ndalesën si pjesë të Ligjit për Barazinë Gjinore.

“Mos t’i lejojmë vajzat tona që prej fëmijërisë të besojnë se dukja e tyre është vlera e vetme që kanë”, iu tha Joanno senatorëve. “Mos t’i lejojmë interesat komerciale që t’i tejkalojnë interesat sociale”.

“Ligjvënësit nuk janë moralizues, por ne kemi obligim ta mbrojmë interesin suprem të fëmijëve”.

Ndalesa e garave që francezët i quajnë “Mini-Miss”, është kundërshtuar nga senatorja socialiste Virginie Kles dhe zëdhënësja e Qeverisë dhe Ministrja për të Drejtat e Grave Najat Vallaud-Belkacem, të cilat i konsideruan masat si shumë të ashpra.

Sipas këtij ligji, organizatorët e këtyre garave do të mund të dënohen deri në dy vjet burgim dhe 30.000 euro gjobë.

A.M.