Franca do ta ndihmojë Kosovën në shkëmbime tregtare

Ambasadorja e Francës në Kosovë, Maryse Daviet ka premtuar se shteti francez do t’i ofrojë përkrahje Kosovës në shkëmbimet tregtare. Këto premtime Daviet i dha gjatë një takimi me ministren e Tregtisë dhe Industrisë, Hikmete Bajrami.

Lajme

19/01/2015 18:46

Ministrja Bajrami e falënderoi ambasadoren franceze për përkrahjen e vazhdueshme që Franca i ka ofruar Kosovës. Po ashtu, ajo e informoi ambasadoren me prioritetet dhe objektivat strategjike të Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë, përkrahjen në zhvillimin e sektorit privat, përfshirë përmirësimin e klimës së biznesit, avancimin e politikave tregtare, përmirësimin e lëvizjes së lirë të mallrave dhe rregullimin e tregut të brendshëm.

Bajrami theksoi rëndësinë e bashkëpunimit ndërmjet dy vendeve, me qëllim të rritjes së shkëmbimeve tregtare.

Ambasadorja franceze konfirmoi vazhdimësinë e përkrahjes së Francës për Kosovën dhe shprehu interesimin e shtetit tё saj që marrëdhëniet tregtare në mes tё dy vendeve tё intensifikohen edhe mё tutje.