FOX Sport paraqet Kosovën me flamurin amerikan

Barazimi i Kosovës ndaj Finlandës ka bërë jehonë të madhe edhe përtej atlantikut.

Lajme

06/09/2016 00:27

Redaktori i sportit në gazetën e madhe amerikane The New York Times ka publikuar disa postime në llogaritë e tij në facebook dhe twitter të cilat kanë mijëra ndjekës.

“Vetëm alfabeti e mban Kosovën më poshtë sot”, ka shkruar Andrew Das, duke publikuar rezultatet e ndeshjeve të Gripit I, të vlefshme për kualifikimet në kampionatin botëror ‘Rusia 2018’, shkruan lajmi.net.

Madje në profilin e tij, gjatë ditës janë publikuare dhe shumë postime të tjera, disa prej të cilave theksojnë faktin se vetëm 2 orë para fillimit të ndeshjes me Finlandën, Kosova ende nuk kishte marrë përgjigje nga FIFA nëse disa lojtarë mund të luajnë.

 

Si me ironi, në një postim, Das, ka rispostuar një postim të Sam Borden, i cili ka fotografuar tabelën e televizionit Fox, ku paraqitet ndeshja Finlandë-Kosovë.

Por e veçanta e kësaj tabele është se derisa për Finlandën shfaqet flamuri i këtij vendi, për Kosovën shfaqet flamuri amerikan.

Për këtë arsye, redaktori i The New York Time shkruan se: “Sikur Kosova të shpallej pjesë e SHBA-së, do të mund të ndryshonte esencialisht rezultatin e zgjedhjeve”/lajmi.net