Fotografitë e Xhenetës së vogël para vdekjes nga shembja e shtëpisë në Prizren (Foto)

Më 18 maj të këtij viti Erdit Spahiu fotograf nga Prizreni duke kaluar rrugës që më vonë ishte e kobshme për familjen Gashi dhe jetën e Xhenetës, kishte fotografuar trevjeçaren me një fshesë në dorë, ku vogëlushja shihet me tërë vëmendjen e kthyer kah aparati.

Lajme

13/06/2016 15:56

Lojën së bashku me vëllain e saj binjak e bënin para shtëpisë së tyre në Prizren.

Por loja e Xheneta Gashit vajzës tre vjeçe u ndal  pasi mbi të u shemb muri i një shtëpie të vjetër në Qendrën Historike shumë afër shtëpisë së saj, njofton Klan Kosova.

Ndonëse kjo pjesë e Prizrenit është e mbrojtur askush nga institucionet përgjegjëse nuk e ka marr fajin për tragjedinë që i ka ndodhur familjes Gashi.

Më 18 maj të këtij viti Erdit Spahiu fotograf nga Prizreni duke kaluar rrugës që më vonë ishte e kobshme për familjen Gashi dhe jetën e Xhenetës, kishte fotografuar trevjeçaren me një fshesë në dorë, ku vogëlushja shihet me tërë vëmendjen e kthyer kah aparati.

Spahiu ka treguar për Klan Kosovën momentin e shkrepjes së fotografisë.

“Kam qenë duke kaluar rastësisht asaj rruge, kisha aparatin me vete, dhe pamja e shtëpisë së bashku me Xhenetën më pëlqyen për ta bërë një fotografi”.

“Fotografia ishte spontane, unë thjesht pas dy javëve mora vesh që vajza që e zuri muri në Prizren ishte Xheneta që e fotografova unë,” ka thënë Spahiu.

Qysh nga data 6 qershor, kur ka ndodhur rasti, Ministria e Kulturës dhe Komuna e Prizrenit vazhdimisht e kanë bërë me faj njëra-tjetrën, derisa vendi ku ndodhi rasti vazhdon të mbetet në gjendjen e njëjtë.