Fotografia e Real Madridit, shikojini ndryshimet pas largimit të Ronaldos

Real Madrid me ndryshime në fotografinë e parë zyrtare për sezonin e ri.

Sport

18/09/2018 12:05

Gjërat kanë ndryshuar në foton zyrtare të kapitenëve të Real Madridit për këtë sezon, dhe ajo që bie së pari në sy është prezenca e Raphael Varanes në vend të Cristiano Ronaldos.

Ronaldo u largua gjatë afatit kalimtar të verës nga Real Madridi dhe iu bashkua skuadrës së Juventusit për 112 milionë euro. Fillimisht, ai e kishte pasur të vështirë për t’u ambientuar në skuadrën e tij dhe nuk arritur të shënonte gol gjatë tri ndeshjeve të para. Megjithatë, në ndeshjen e fundit ai i shënoi dy gola kundër Sassuolos dhe ia siguroi skuadrës së tij trepikëshin e radhës, përcjell Gazeta Express.

Real Madridi e publikon çdo vit foton zyrtare të kapitenëve të klubit bashkë me presidentin Florentino Perez. Ndryshimi më i madh në foton e këtij sezoni është mungesa e Ronaldos dhe zëvendësimi i tij me Raphael Varanen.

Gjithashtu, një detaj i çuditshëm në këtë foto është se për herë të parë Sergio Ramosi është duke e mbajtur shiritin e kapitenit, edhe pse kjo është fotoja e tij e katërt si kapiten i parë i klubit madrilen.

Ndërsa, në foton e të gjithë skuadrës, Luka Modrici është i ulur në vendin ku gjithmonë ulej ylli portugez. Ai më herët ulej në rendin e parë, ndërsa këtë vit e ka zënë vendin e Cristiano Ronaldos, i cili ulej afër trajnerit.

Përveç ndryshimeve te lojtarët, në fotot e skuadrës së këtij sezoni ndryshon edhe trajneri. Zinedine Zidane u largua nga Real Madridi në fund të sezonit të kaluar, pasi kishte arritur ta fitonte tri herë radhazi titullin e Ligës së Kampionëve brenda po aq sezoneve. Vendin e tij e zë ish-trajneri i Kombëtares së Spanjës, Julen Lopetegui.