Fotografia e FSK-së që nxiti reagime (Video)

Ngritja e gishtit tregues të pjesëtarëve të FSK-së po shihet si një gjest që nuk i ka hije ushtrisë së një shteti laik.

Lajme

05/07/2015 21:20

Por në FSK, thonë se kjo foto, vetëm është riaktualizuar në rrjetet sociale, pasi bëhet fjalë për diçka që ka ndodhur para 4 viteve.

Ndërsa arsyeja e ngritjes së gishtit nuk ka të bëjë me fenë, raporton Klan Kosova.

Ibrahim Shala, zëdhënës i FSK-së thotë se ushtarët në këtë grup nuk janë vetëm besimtarë myslimanë.

Kjo fotografi ishte publikuar në vitin 2013, ku thuhej se sugjerimi i tyre me gisht ishte: “Allahu është një”. Por, këtë fotografi, atë kohë e patën shpërndarë grupet islame.

Fotografia ishte shoqëruar me lajmin se pjesëtarë të FSK-së kanë marrë pjesë në një garë për leximin dhe memorizimin e Kuranit, të mbajtur në Arabinë Saudite.

Një delegacion kosovar, atë kohë i kryesuar nga ministri Agim Çeku ka qenë në vizitë zyrtare në shtetin arab. Në atë kohë, Princi i kurorës, Selman bin Abdul Aziz dhe ministri i Mbrojtjes, Khalid bin Sultan bin Abdul Aziz, organizuan një garë për memorizimin e Kuranit, të quajtur çmimi “Princ Sulltan”.

Thuhej se ministri Çeku ka kërkuar mirëkuptimin e arabëve që për shkak të specifikave të Kosovës, ushtarët e FSK-së të mos marrin pjesë në këtë garë.

Ai u ka dhënë urdhër atyre që të mos marrin pjesë në të.

Por, së paku, dy prej tyre bashkë me kolegë nga Sudani, Senegali, Bahrejni, Jordania, Kuvajti dhe vende të tjera, kanë lexuar librin e shenjtë mysliman.

Thyerja e urdhrit ka alarmuar FSK-në, e cila pati identifikuar dy pjesëtarë dhe pati vendosur të merr masa ndaj tyre, transmeton lajmi.net.

YouTube player