Forumi i të Rinjve Myslimanë tallë dhe kërkon burgosjen e Blerim Latifit

Forumi i të Rinjve Myslimanë përmes një komunikate për media, është shprehur kinse po dënon sulmin ndaj Blerim Latifit, filozof dhe këshilltar i kryetarit të Kuvendit, Kadri Veseli, por në anën tjetër janë tallur me të dhe kanë kërkuar burgosjen e tij. 

Lajme

18/01/2015 16:19

Ky forum ka kërkuar burgosjen e Latifit, për shpifje ndaj islamit. Gjithashtu ata janë tallur me të rreth sulmit të djeshëm ndaj tij, duke thënë se po të sulmohej, Latifi do të poshtërohej keq, pasi sipas tyre ai ka fizik të dobët dhe nuk do të mund ta përballonte atë, sa që ndoshta do të qante si fëmijë. 

Deklarata e plotë FRM-së: 

Forumi i të Rinjve Muslimanë po lexon nëpër media pretendimet e Blerim Latifit që dy persona misteriozë, me kapuça në kokë e me mjekër kanë tentuar që ta rrahin. FRM është tronditur shumë nga ky fakt, pasi nëse Blerimi do të sulmohej ai do të rrihej e poshtërohej shumë keq, pasi fiziku i tij tregon që është njeri i dobët për përleshje fizike dhe nga lëndimet do të ishte trembur shumë e ndoshta edhe do kishte qarë si fëmijë.

FRM dënon sulmet fizike ndaj kujtdo në Kosovë, dhe dënon edhe sulmin më të fundëm kundër Blerim Latifit.

Sipas sheriatit Islam njerëzit që nuk kanë cilësi burrash nuk bën të preken me dorë. Ata duhen mëshiruar dhe trajtuar me përkujdesi të veçantë.

Por nëse në Kosovë ka qytetarë që kanë probleme me Blerim Latifin, FRM sugjeron që atë ta hedhin në gjyq dhe ta fusin në burg. Blerim Latifi ka sulmuar e shpifur shumë keq kundër Islamit, hoxhallarëve e besimtarëve të nderuar në Kosovë. Sikur Kosova të ishte një vend demokratik ku vepron ligji, ai tani do të duhej të ishte në burg për nxitje të urrejtjes fetare e kombëtare.

Për sa më lartë, FRM i apelon të gjithë qytetarëve të Kosovës që të distancohen nga dhuna, të bëhen qytetarë dhe Blerim Latifin ta çojnë në gjykatë për nxitje të urrejtjes kombëtare dhe fetare.

Përndryshe, nëse shohin dikë që e dhunon Blerim Latifin, duhet të ndërhyjnë dhe ta mbrojnë nga rrahësit.