Formimi i Ushtrisë vazhdon të jetë “në proces”

Që pas shpalljes së pavarësisë, pothuajse në çdo vit qytetarët e Kosovës kanë pasur premtime për formimin e Ushtrisë. E deri më sot, një gjë e tillë ende nu ka ndodhur, derisa edhe qeveria Haradinaj po përballet me qëndrimet kundërshtuese të Listës Serbe që Kosova ta ketë Ushtrinë.

Lajme

04/02/2018 09:12

Shefi i qeverisë kosovare, Ramush Haradinaj gjatë fushatës premtonte me krenari se njëra nga temat kryesore që do ta zgjidhë qysh në fillim të mandatit do të jetë themelimi i Forcave të Armatosura të Kosovës, shkruan lajmi.net

Në një intervistë kohë më parë, Haradinaj kishte përmendur muajin mars si periudhë kur do të krijohet Ushtria.

Por, përkundër kësaj qeveria që drejton nuk ka ndërmarrë ndonjë hap konkret për ta realizuar një gjë të tillë.

Në pyetjet që lajmi.net ka dërguar në zyrën për informim të kryeministrit, ata janë përgjigjur me një fjali.

Edhe pse redaksia kërkoi që të dihen hapat konkretë që Haradinaj i  ka marrë për ta përmbushur premtimin e Ushtrisë, zyra për informim e qeverisë me një fjali i dha fund kësaj teme.

“Formimi i Ushtrisë së Kosovës është në proces”, thuhet në përgjigjen e zyrës për informim të kryeministrit Haradinajt.

Përgjigje nuk pati as në pyetjen se a ka pasur diskutime Haradinaj me Listën Serbe që t’i bind për votimin e ndryshimeve kushtetuese, që do t’i hapnin rrugë transformimit të FSK-së.

Përkundër kësaj, zv/ministri i FSK-së Burim Ramadani, po thotë se kjo ministri ka ndërmarrë disa veprime për formimin e Ushtrisë së Kosovës.

Ramadani thotë për lajmi.net se angazhimi i ministrisë së FSK-së është që kjo çështje të përmbyllet në rrugë kushtetuese dhe ligjore, me mbështetjen e partnerëve.

“Trasnformimi i FSK-së në Forca të Armatosura të Kosovës (FAK) është objektiv i Qeverisë së Kosovës, për të cilin ka angazhim të plotë në baza ditore të punës.  Kryeministri Haradinaj, Qeveria e Kosovës dhe MFSK është e përkushtuar në përmbylljen me sukses të plotë të këtij procesi, si një prej hapave më të rëndësishëm në sigurinë e Kosovës dhe kontributin për sigurinë rajonale e më gjerë Angazhimi ynë institucional është i koordinuar mirë dhe gjithëpërfshirës, me qëllim që procesi të përmbyllet në rrugë kushtetuese e ligjore dhe të ketë mbështetjen e plotë të partnerëve mbështetës”, ka thënë Ramadani.

Ramadani ka përmendur disa prej veprimeve që ministria e FSK-së ka ndërmarrë në këtë proces.

“Vazhdimi i avancimit të qeverisjes së mirë, multi-etnicitetit dhe profesionalizmit, mbikëqyrjes civile demokratike mbi sektorin e sigurisë, avancimi i rregulloreve dhe normave tjera juridike relevante, avancimi i procesit të planifikimit, buxhetimit dhe operacionalizimit në institucionet e sigurisë, rritja e shërbimit për qytetarët dhe komunitetet në Kosovë, sikurse edhe rritja e nivelit të bashkëpunimit bilateral dhe multilateral me shtete dhe organizata të rëndësishme janë pjesë e angazhimeve të Kryeministrit, Qeverisë, MFSK-së dhe institucioneve tjera të Kosovës”, ka thënë zv/ministri i FSK-së.

Ramadani ka bërë të ditur se të gjitha institucionet e Kosovës po angazhohen për bisedime me komunitetet për çështje që kanë të bëjnë me sigurinë dhe integrimin e qytetarëve, duke përfshirë edhe themelimin e Ushtrisë.

“Kryeministri Haradinaj, Qeveria, Presidenca dhe Kuvendi i Kosovës janë të angazhuara në baza ditore në punën e përbashkët me të gjithë përfaqësuesit politik të qytetarëve të Kosovës, përfshirë këtu komunitetet jo-shumicë, në të gjitha çështjet që kanë të bëjnë me ofrimin e mundësive për integrim të plotë të të gjithë qytetarëve të Kosovës, perspektivë, siguri dhe mirëqenie. Për Qeverinë e Kosovës, puna në këtë drejtim është e përditshme dhe jo e izoluar”, ka përfunduar Burim Ramadani për lajmi.net

Për këtë temë foli edhe presidenti i vendit, Hashim Thaçi gjatë një conference për media disa ditë më parë.

Thaçi u shpreh i bindur se transformimi i FSK-së në Ushtri do të bëhet në këtë vit.

Por pengesë në këtë rrugë po vazhdon të mbetet Lista Serbe. Ajo duke marrë direktiva nga Beogradi, disa herë ka theksuar se nuk i votojnë ndryshimet kushtetuese për formimin e Ushtrisë.

Në këtë mënyrë, mbetet e hapur rruga që nëse pamundësohen ndryshimet kushteteuse, atëherë të merret vendim që vetëm t’i rriten kompetencat Forcës dhe Sigurisë së Kosovës. /B.B/Lajmi.net/