Formimi i qeverisë, mund të zgjasë

Për formimin e strukturave të reja qeverisës, duhet të pritet edhe një vendim gjyqësor. Kjo pasi që PDK, ka dërguar në Gjykatën Kushtetuese, mënyrën e zgjedhjes së Kryeparlamentarit. 

Lajme

18/07/2014 09:42

Presidentja Atifete Jahjaga mund ta presë edhe një vendim të Gjykatës Kushtetuese për të vazhduar procesin e formimit të Qeverisë së Kosovës. Presidenca, sipas zëdhënësit Arbër Vllahiu, nuk do ta respektojë vetëm vendimin e Kushtetueses për mandatarin.

“Presidentja Jahjaga, përveç zbatimit të kushtetutshmërisë dhe ligjshmërisë, do të respektojë edhe vendimin e Gjykatës Kushtetuese për caktimin e mandatarit për kryeministër, por gjithsesi do të respektojë edhe të drejtën e secilit subjekt politik që mund të kërkojë interpretime dhe sqarime ligjore që mund të ngrihen për çështjen e seancës së Kuvendit”, ka thënë Vllahiu, kur është pyetur se kur do ta caktojë presidentja mandatarin për krijimin e Qeverisë pas konstituimit të Kuvendit, shkruan Koha Ditore.

Partia Demokratike e Kosovës, e cila nuk ia ka dalë ta çojë përpara agjendën e vet në seancën konstituive, të enjten, ka paralajmëruar se për zhvillimet në Kuvend do të hapë rast në Gjykatën Kushtetuese. (Koha Ditore)