Formacioni i Shqipërisë për 15 minutat kundër Maqedonisë (FOTO)

Shqipëria nuk ka të drejtë të bëjë zëvendësime në minutat e mbetura të duelit të ndërprerë kundër Maqedonisë.

Sport

06/09/2016 12:02

Kombëtarja shqiptare e futbollit do të ketë një detyrë shumë të vështirë sot, pasi në 15 minuta duhet të provojë gjithçka për të marrë një fitore ndaj Maqedonisë. Megjithatë, De Biazi do t’i ketë zgjedhjet e kufizuara, pasi rregullorja e detyron që të hedhë në fushë të njëjtin formacion të momentit kur është ndërprerë takimi.

Sikur të mos mjaftonte kjo, tekniku i kombëtares shqiptare ka kryer të tre zëvendësimet në dispozicion, duke aktivizuar Memushajn, Balajn e Roshin. Kësisoj, rreshtimi i kombëtares në këto minuta të fundit do të jetë ai 4-4-2 me theks ndaj lojës ofensive.

Katërshja e mbrojtjes do të jetë e pandryshuar në krahasim me fillimin e takimit, ndërsa para tyre do të jetë përsëri Kukeli në rolin e “digës”. Memushaj, i aktivizuar në vend të Abrashit gjatë pjesës së dytë të mbrëmshme, do të rreshtohet përkrah tij në qendër të këtij reparti, pak më i avancuar, shkruan “Panorama Sport”, përcjell “Lajmi.net”.

Taulant Xhaka, këto minuta do t’i luajë si mesfushor i majtë, ndërsa në krahun e djathtë do të veprojë Roshi, edhe ai një zëvendësues në duelin e mbrëmshëm, i futur në lojë vetëm pak çaste para ndërprerjes së takimit.

Ndryshe nga sa është mësuar zakonisht, Shqipëria do të luajë me dy sulmues në këto minuta, me Sadikun që do të rreshtohet përkrah Balajt në repartin e avancuar.

Parashikoni ndeshjet e EURO 2016 dhe fitoni dhjetëra shpërblime, duke përfshirë një iPhone 6S dhe Samsung Galaxy Note 4.