Formacioni i mundshëm i Kosovës për ndeshjen më të rëndësishme në historinë e saj

Përfaqësuesja e Kosovës sot (e martë) zhvillon ndeshjen e fundit në fazën e grupeve në Ligën D në Ligën e Kombeve.

Sport

20/11/2018 09:10

‘Dardanët’ në stadiumin ‘Fadil Vokrri’ zhvillojnë ndeshje të rëndësishme ndaj Azerbajxhanit, me të cilën skuadër do të diskutojnë vendin e parë në grupin 3.

Kosova pas pesë ndeshjeve renditet në vendin e parë në grup,me dy pikë më shumë se kundërshtari i sotëm, Kombëtarja e Azerbajxhanit.

Për këtë ndeshje, trajneri Bernard Challandes ka planifikuar pak ndryshime për dallim nga ekipi startues në fitoren 0-5 ndaj Maltës, shkruan lajmi.net.

Sipas faqes ‘Kosovan Football’ e cila vepron në Twitter dhe me seriozitet trajton lajmet rreth Përfaqësueses së Kosovës ka publikuar formacionin e mundshëm të ‘Dardanëve’ për ndeshjen e sotme.

Ajo që bie në sy është Arijanet Muriqi, i cili pritet të startojë nga minuta e parë, duke e lënë në bankinë kapitenin Samir Ujkani.

Dy lojtarët tjerë që do të lihen në bankinë e që ishin startues ndaj Maltës, janë edhe Fidan Aliti dhe Arbër Zeneli.

Formacioni i mundshëm i Kosovës: Muriqi; Vojvoda, Rrahmani, M. Kryeziu, Kololli; Shala, Kryeziu; Berisha; Rashica, Avdijaj; Nuhiu./Lajmi.net/