Foreign Affairs: Spanja gaboi me Kataloninë siç gaboi Serbia me Kosovën

Nga të gjitha mënyrat që ofron historia si shembuj sesi një qeveri duhet të përballet me një lëvizje separatiste, Spanja duket se ka zgjedhur “metodën" serbe.

Lajme

10/10/2017 17:05

Kështu nis një analizë e revistës së njohur politike “Foreign Affairs”, që analizon aksionet e qeverisë së Madridit për të parandaluar shpalljen e njëanshme të pavarësisë së Katalonisë.

“Tani kërcënon me shfuqizimin e qeverisë rajonale të Katalonisë, ashtu siç bëri Serbia me Kosovën në vitin 1990 dhe që prej 1 tetorit, kur u zhvillua referendumi, ruan një prani të madhe policore të dërguar në Kataloni nga rajonet e tjera të Spanjës, pavarësisht se kërkoi ndjesë për episodet e dhunës”, shkruan Foreign Affairs.

Revista thekson se shumë katalonasve kjo u ngjan në okupim të jashtëm territorial, e jo rivendosje legjitime e forcave të rendit për shkak të ruajtjes së paqes, transmeton lajmi.net.

Në anën tjetër, udhëheqësi katalonas, Carles Puigdemont, po përballet me presion maksimal nga Spanja për të hequr dorë nga një fjalim historik në Parlamentin e rajonit të shumëpërfolur.

Ka spekulime se ai mund të shpallë zyrtarisht pavarësinë e Katalonisë, pas një referendumi të dhunshëm që la qindra të plagosur.

Por, policia duket se ka rrethuar ndërtesën me forca të shtuara të armatosura, ndërkohë që seanca pritet të fillojë së shpejti.

Kryetari i Bashkisë së Barcelonës i ka bërë thirrje zotit Puigdemont dhe kryeministrit spanjoll Mariano Rajoy që të “shkurajojnë” krizën.

Në orët e hershme të mëngjesit të së martës, policia katalonase mbylli Parkun “Ciutadella” në Barcelonë dhe vendosi disa kamionë policorë pranë hyrjeve, përfshirë edhe hyrjen e Parlamentin.

Autoritetet thanë se masat u vendosën “për arsye sigurie” pas demonstratave masive të dielën kundër planeve të qeverisë së Katalonisë për t’u shkëputur nga Spanja. /Lajmi.net/