Forcat turke shpallin fitoren në Afrin të Sirisë

Forcat e mbështetura nga Turqia në Siri kanë marrë kontrollin e plotë të rajonit Afrin, i cili mbahej nga kurdët sirianë. Pas një ofensive dymujore, ushtarët turq dhe milicitë vendase hynë dje në qendrën e qytetit Afrin. Kurdët e quajnë ofensivën pastrim etnik dhe janë zotuar të vazhdojnë luftën për të ruajtur tokat e stërgjyshërve të tyre në Siri. Turqia thotë se po lufton kundër milicisë YPG, për lidhjet e saj me organizatën terroriste kurde PKK dhe për rrezikun që ajo paraqet për Turqinë.

Bota

19/03/2018 16:13

Forcat e udhëhequra nga Turqia hynë dje në qendër të Afrinit, pa hasur në rezistencë, dhe u shpërndanë menjëherë në mbarë qytetin duke ngritur flamujt turq. Kapja e këtij rajoni është jetësore për fushatën e Turqisë për të parandaluar mundësinë e krijimit të një shteti të pavarur kurd. Presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan, shpalli fitoren.

“Shumica e terroristëve ja mbathën me bishtin mes këmbëve. Forcat tona speciale dhe Ushtria e Sirisë së Lirë po pastrojnë mbeturinat dhe kurthet e lëna pas”, tha zoti Erdogan.

Zoti Erdogan pretendon se milicia YPG e kurdëve të Sirisë është e lidhur me Partinë e Punëtorëve të Kurdistanit, PKK. Milicitë e mbështetura nga Turqia synojnë të vazhdojnë luftën ndaj kurdëve në mbarë Sirinë.

“Dashtë Zoti, do të shkojmë Manbij dhe më pas në al Hasaka. Do t’i ndjekim kurdët kudo, edhe PKK-në edhe YPG-në”, thotë një prej rebelëve të Ushtrisë së Sirisë së Lirë.

Rreth 250 mijë persona i janë larguar Afrinit gjatë ditëve të fundit, duke u zhvendosur drejt territorit që mbahet ende nga milicia kurde YPG ose nga qeveria siriane. Eksodi vazhdoi dje mes tymit të ngritur nga minat që shpërthenin. Politikanë dhe aktivistë pro-kurdë në Turqi i bënë thirrje komunitetit ndërkombëtar të dënojë atë që e quajnë spastrim etnik të kurdëve në Siri.

“I bëjmë thirrje OKB-së, Këshillit Evropian, Parlamentit Evropian, forcave të koalicionit ndërkombëtar, vendeve islamike dhe komunitetit ndërkombëtar në tërësi që të ndërmarrë hapa të menjëhershme për të shmangur tragjedinë në Afrin, si dhe për të arritur rezultate konkrete, përfshirë tërheqjen e të gjitha forcave të armatosura që hynë në qytet”, tha Berdan Ozturk, ligjvënës i partisë pro-kurde Partia Demokratike e Popullit.

Organizatat e të drejtave të njeriut thonë se qindra civilë janë vrarë gjatë ofensivës turke, por Ankaraja mohon të ketë objektiv civilët.

Në qytetin sirian Qamishli, pranë kufirit me Turqinë, kurdët protestuan ndaj vrasjes së civilëve në Afrin dhe u zotuan të rimarrin tokën që thonë se është e stërgjyshërve të tyre.

“Edhe nëse turqit qëndrojnë në Afrin për 1 mijë vjet, do t’i dëbojmë dhe do ta marrim sërish tokën që nuk u takon atyre”, thotë protestuesi Essa Qartmini.

Mbështetja e Shteteve të Bashkuara për milicinë kurde YPG, si pjesë e përpjekjes për dëbimin e ISIS-it nga pikat kyçe të Sirisë, ka shkaktuar një krisje në marrëdhënien mes Uashingtonit dhe Ankarasë./VOA