Forcat irakiane në sulmin final për Mosul

Forcat irakiane të mbështetura nga Shtetet e Bashkuara, e kanë lansuar një sulm të gjërë për pjesët e fundit ë qytetit Mosul, që ende janë nën kontroll të militantëve të Shtetit Islamik (IS), kanë thënë zyrtarë ushtarakë.

Bota

28/05/2017 18:36

Komanda e përbashkët operacionale thanë se forcat e sigurisë po e sulmonin “atë që mbetet territor i paçliruar” në bregun perëndimor të lumit Tigër në këtë qytet, që është baza e fundit e rëndësishme e IS-it në Irak.

Agjencia AP ka raportuar, duke u mbështetur në dy oficerë ushtarakë irakianë, se avancimi i forcave qeveritare ishte ngadalësuar nga snajperët dhe sulmuesit vetvrasës, ndërsa përleshjet e djeshme karakterizohen si “sporadike”.

Ata nuk kanë dhënë numra të viktimave eventuale të të dy palëve.

Nëse Mosuli bie nën kontrollin e forcave të qeverisë së Irakut, atëherë kjo do të paraqiste goditje masive për ekstremsitët e IS-it.

Mosuli ishte qyteti ku lideri i IS-it, Abu Bakr al-Baghdadi, e ka shpallur të ashtuquajturin “kalifat” të tij para tri vitesh.

Nga ana tjetër, banorët në Qytetin e Vjetër i kanë thënë agjencisë Reuters me telefon se situata atje po bëhej tejet e rrezikshme për ta.