Fondi i Punësimit do të rrisë prodhimet ‘Made in Kosova’ (Video)

Në një intervistë për lajmi.net, Blerand Stavileci thotë se PDK dhe koalicioni i saj, është partia e parë  në vend, me një diferencë e cila varion prej 5.1 deri 8.6 për qind nga LDK-ja. Thotë se qytetarët duhet ta votojnë PDK-në, sepse kjo parti nuk jep vetëm premtime, por edhe i realizon ato. Sipas tij, kandidatët e tjerë për kryeministër nuk kanë me çka të krenohen, ndërsa lideri i PDK-së, Hashim Thaçi ka të arritura me bollëk.

Lajme

04/06/2014 18:20

Ministri në detyrë i Bujqësisë, njëherësh kandidatë për deputetë, Stavileci, në intervistën për lajmi.net shprehet i bindur në fitoren e partisë së tij më 8 qershor.

Ai e kërkon votën e qytetarëve për PDK-në, sepse siç thotë ai, kjo parti gjatë dy mandateve qeverisëse i ka kthyer në vendime të gjitha premtimet e dhëna.

Stavileci thotë se themelimi i Nismës për Kosovën nuk e ka dëmtuar PDK-në, sepse sipas tij, PDK-ja, ka pasur rritje të vazhdueshme prej fillimit të këtij viti.

Sektori i bujqësisë, thotë ai, përmes Fondit të Punësimit, do të rris prodhimet Made in Kosova dhe se ato do të kenë mundësi të eksportohen.

lajmi.net: Fushata  zgjedhore ka qenë e shkurtër dhe po shkon drejtë fundit. A u ka mjaftuar për të arritur të prezantoni platformën tuaj tek qytetarët?
Stavileci : E para, një lloj fushate më vete është puna që kemi bërë gjatë këtyre viteve. Por, në të njëjtën kohë, kryeministri Hashim Thaçi gjatë gjithë kohës ka pasur aktivitete të ngjeshura, sidomos që nga fillimi i vitit, duke vizituar shumë kategori shoqërore, duke vizituar biznese, duke vizituar dhe u njoftuar me atë se çfarë ata bëjnë, por në të njëjtën kohë, duke parë nga afër kërkesat e tyre dhe si rrjedhojë e kësaj ne kemi nxjerrë atë që e dallon më së shumti PDK-në nga subjektet e tjera politike.

Pra, në kuadër të Misionit të Ri, Fondin e Punësimit u dedikohet të gjitha bizneseve në Kosovë, ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme, bizneseve të mëdha, të rinjve të rejave, grave të gjithë atyre sipërmarrësve që kanë ide të mira, që kanë projekte të mira, por që iu nevojitet financimi. Ne kemi thënë që në këtë fazë, gjëja më e rëndësishme është zhvillimi ekonomik dhe krijimi i vendeve të reja të punës.

lajmi.net: PDK në këto zgjedhje për dallim nga dy parapraket ku kishte dalë fituese, pas themelimit të NISMA-s hyn jo e plotë. A rrezikoni t’u ndodhë ajo që i ndodhi LDK-së më 2007?
Stavileci: Nga ajo që shohim në terren, PDK vetëm sa është forcuar më shumë. Është e natyrshme që në një subjekt politik të ketë lëvizje, pra ka pasur edhe në subjektin tonë. Mirëpo duhet ditur që në të njëjtën kohë ka pasur edhe shumë afrim dhe bashkëngjitje të të tjerëve në PDK.

Edhe nëse bëjmë analiza numerike, ne shohim se përsëri jemi të parët, të mobilizuar më shumë sesa më parë. Duke e parë që të gjitha këto lëvizje, jo vetëm që nuk kanë ndikuar tek subjekti ynë, por në të njëjtën kohë me ato afrimet e reja që janë bërë, është bërë edhe koalicioni i madh me PD-në, LB-në, PSHDK-në, ADK dhe me Partinë Konservatore.  Pra, nëse e shohim numerikisht, ne jemi edhe shumë më shumë sesa kemi qenë në zgjedhjet e kaluara.

lajmi.net: Si shumica e partive, edhe ju me siguri keni bërë matje të opinionit. Ku po ju qesin sondazhet?
Stavileci: Ne kemi bërë vazhdimisht matje të opinionit që nga fillimi i vitit dhe vazhdimisht kemi pasur ngritje si subjekt, por në të njëjtën kohë kemi thelluar avantazhin ndaj përcjellëses së parë LDK-së. Të gjitha këto zhvillime janë bërë edhe falë qeverisjes së kaluar, sepse jemi dëshmuar me projekte, me të arritura konkrete ndryshe nga subjektet e tjera politike.

Përderisa subjektet e tjera, kanë premtuar ose premtojnë, ne kemi marrë vendime, i kemi zbatuar ato, apo edhe në këtë periudhë janë marrë vendime të cilat menjëherë e kanë afektuar edhe jetën dhe standardin e qytetarit, siç është rritja e pagave apo dhe vendime të tjera që janë marrë për studentët, për bizneset, e shumë e shumë të tjera.

Të gjitha këto kanë bërë që qytetarët të na besojnë, sepse janë gjëra të prekshme, janë gjëra që i kanë përjetuar edhe gjatë periudhës së kaluar, po i përjetojnë edhe tani dhe prandaj, në të njëjtën kohë, iu besojnë shumë më shumë atyre që kanë thënë se do të bëjnë diçka dhe është bërë. Mund të marrin shembull autostradën, aeroportin apo edhe projekte të tjera.

lajmi.net: Në një intervistë që lajmi.net realizoi me Vjosa Osmanin e LDK-së, ajo thotë se sondazhet i qesin 10 përqind përpara jush?
Stavileci: Po nuk di se sa mund t’i besohet një subjekt politik i cili edhe pas rezultateve zyrtare të KQZ-së, ata gjithmonë po bien në kontradikta. Edhe lideri i tyre thoshte njëherësh se është i pari dhe se ka një avantazh të PDK-së ndaj LDK-së. Nuk mund të jesh edhe i pari dhe të ketë avantazh tjetri. Por janë munduar që ta manipulojnë opinionin, sepse edhe ata vet e dinë që ajo çfarë kanë thënë është pikërisht e kundërta. Mund të thonë një gjë të tillë, por le t’i referohen matjeve.

Ne kemi bërë matje çdo muaj dhe le t’i referohen edhe matjeve që janë bërë nga organizata të pavarura. Unë asnjëherë nuk e kam parë që LDK-ja ka dalë e para dhe sidomos në tre muajt e fundit ka një thellim të avantazhit ndërmjet PDK-së si prijëse dhe LDK-së si përcjellëse. Ajo që ka dalë më së paku, pra diferenca më e vogël është 5.1 për qind, në favor të PDK-së. Pra varion prej 5.1 deri më 8.6 për qind.

lajmi.net: Pra, nëse i fitoni zgjedhjet, me kë do bëni koalicion? Kryeministrin e kemi dëgjuar të flet për koalicion stabil. Do të bëni koalicion të gjerë, duke e marrë LDK-në në bashkëqeverisje?
Stavileci : E para është që ne t’i përfundojmë sa më mirë zgjedhjet, t’i fitojmë ato. Të ketë një proces të mirë, të rregullt, të qetë ashtu siç është dëshmuar në këto zgjedhje të fundit që janë mbajtur. Dhe pastaj prej momentit që fitojmë, prej 9 qershorit e tutje, do të fillojë faza e bisedimeve, e negociatave e pozicionimeve të subjekteve politike dhe ne si udhëheqës të koalicionit të ardhshëm qeveritar, natyrisht se do t’i shqyrtojmë pozicionet me subjektet e tjera politike, dhe qëndrojmë pas asaj që kemi thënë, ne si parti e qendrës së djathtë do të bëjmë koalicion me një nga partitë e qendrës së djathtë.

lajmi.net: Pra, nuk përjashtohet as LDK-ja?
Stavileci: Ne nuk e përjashtojmë asnjë subjekt politik. Jemi treguar edhe në të kaluarën, që nëse është në pyetje interesi shtetëror, asnjëherë nuk vendosim vija të kuqe, por natyrisht se ne si udhëheqës të koalicionit, ekzistojnë edhe brenda tij disa rregulla. Për ne është e rëndësishme që e para të ketë një koalicion stabil me numra të qëndrueshëm, në mënyrë që kjo mazhorancë e madhe të ketë mundësi të lehtë për të shtyrë përpara vendime të rëndësishme për vendin tonë, sidomos ato që lidhen me zhvillimin ekonomik, sepse po hyjmë në një fazë të tillë.

Misioni i Ri është bërë ekskluzivisht për ta jetësuar programin ekonomik dhe për të krijuar 200 mijë vende të reja të punës në vendin tonë me ato 1.5 miliardë euro që do të jenë në dispozicion. Na nevojitet një koalicion i gjerë dhe stabil, por natyrisht me njërën nga forcat politike të qendrës së djathtë.

lajmi.net: Keni qeverisur dy mandate, pse duhet votuar sërish PDK?
Stavileci : Pikërisht për të gjitha ato që i thash në fillim të intervistës. Ne të gjitha ato projekte të cilat në vitin 2007 kanë qenë premtime, të gjitha janë shndërruar në vendime. Në këto dy mandate ne e kemi ndryshuar gjuhën politike sepse nuk merremi më me premtime, por merremi me vendime. Në momentin kur kryeministri Thaçi e merr një vendim, ai është që nga dita e nesërme i realizuar edhe në praktikë, dhe ketë e keni parë së fundmi edhe me vendimin për rritjen e pagave.

Pra, ne kemi disa momente shumë të rëndësishme që kanë bërë ndryshimin në të kaluarën. Nuk ka pasur asnjëherë rritje të pagave, tash të gjithë qytetarët tonë, më shumë se 80 mijë shërbyes publikë po dhe kategori të tjera shoqërore janë dëshmitarë. Ne kemi 28 kategori, 22 me paga dhe 6 me pensione në të cilat kemi pasur rritje nga 79 për qind deri në 323 për qind.

Pastaj kemi përmirësuar në masë të dukshme në infrastrukturën fizike, rrugore dhe shkollore. Kemi Autostradën e Kombit, kemi Aeroportin Ndërkombëtar dhe shumë e shumë projekte në shumë e shumë sektorë, në të cilat gjendja ka lëvizur për të mirë. Natyrisht që brenda kësaj ka edhe sfida të cilat ne i kemi identifikuar për të cilat ka zgjidhje në kuadër të Misionit të Ri.

Prandaj, dallimi është i dukshëm në mes edhe të subjektit politik, por edhe në mes të liderëve të cilët janë bartës dhe janë të nominuar për kryeministra. Asnjëri prej tyre nuk ka diçka me të cilën mund të krenohet me të cilin qytetari mund ta asociojë, që mund të thotë që ky lider në periudhën e tij e ka bërë këtë punë apo atë punë. Krejt ndryshe është për kryeministrin Thaçi dhe e keni parë që edhe tash, pas gjithë kësaj periudhe, sado që ne kemi bërë shumë punë, dhe puna e tij sublimohet me këto projekte, të arriturat janë shndërruar në vepra që secili qytetarë i Kosovës i përjeton dhe i prekë.

Ne nuk po ndalemi e të themi se kemi bërë punë dhe na votoni, por po themi që në bazë të asaj që ato punë të cilat në atë kohë janë premtuar dhe janë bërë, tash tu besohet atyre që i kanë kryer, dhe të besohen premtimet tjera, çdo gjë që tash parashihet në kuadër të Misionit të Ri, sepse janë vendime që përsëri do të realizohen brenda periudhës së ardhshme qeverisëse. 

lajmi.net: Keni premtuar Fondin e Punësimit prej 1.5 miliard euro, ku për bujqësinë do të shkojnë 500 milionë euro. Konkretisht si do të investohen ato, edhe çfarë bujqësie do të kemi pas 4 vitesh?Stavileci: Në kuadër të Fondit të Punësimit i cili do të jetë në dispozicion për të gjitha ndërmarrjet kosovare, vendin kryesor ia kemi lënë bujqësisë me një të tretën e këtij fondi, pra 500 milionë euro nga të cilat presim që do t’i krijojmë 50 mijë vende të reja pune.

Viti 2013 është viti që ka shënuar kthesën pozitive për sa i takon bilancit tregtar. Për herë të parë në Kosovën e pasluftës ne kemi pasur një rënie të importit për 2 për qind dhe një rritje të eksportit për 12 për qind, që është një shenjë shumë trimëruese. Kemi pasur po ashtu, me mjetet në dispozicion, diku rreth 70 milionë euro, kemi krijuar 7 mijë e 72 vende pune.

Duke u nisur nga këto fakte, ne kemi parë që sektori i bujqësisë është ai që mund të jetë turbina kryesore e zhvillimit ekonomik, sidomos për të krijuar vende të reja të punës dhe e përsëris se me këto 500 milionë do të krijohen 50 mijë vende pune.

Çka do të bëhet? E para do të shumëfishohet prodhimi vendor Made in Kosova, do të rritet shumë pjesëmarrja e bujqësisë në bruto prodhimin vendor dhe do të zëvendësohen maksimalisht importet. Do të rritet maksimalisht eksporti i atyre kulturave bujqësore që kanë mundësi të eksportohen në vende të tjera dhe që së fundmi po shohim shumë raste të tilla të mira, shembuj të mirë e të suksesshëm.

Pastaj, do të rriten të ardhurat e fermerëve, pra edhe do të krijohen vende të reja të punës, por edhe ata që janë brenda sektorit do të kenë shumë më shumë të ardhura dhe synimi ynë është që në periudhën e ardhshme, sidomos diku nga viti 2018 dhe në mandatin pasues nga viti 2020, ashtu siç i kemi ne planet tona strategjike, secili fermer dhe të gjitha agrobizneset që operojnë në Kosovë të rriten, të kenë përkrahje meritore buxhetore dhe financiare, ta shtojmë numrin e të punësuarve dhe ajo që ndoshta është ëndërr e të gjithë neve, të mos e shohim asnjë pëllëmbë toke të Kosovës të papunuar.

Mendoj që me këtë fond që do ta kemi në dispozicion, i cili qysh në vitin e ardhshëm do të jetë rreth 100 milionë euro, pra 60 milionë nga buxheti, 20 milionë nga Fondi i Punësimit dhe 20 milionë nga fondet e tjera, ne menjëherë do të kemi mundësi që shumë projekte t’i jetësojmë dhe qysh në vitin e parë te ketë një bum të punësimit brenda sektorit të bujqësisë.

lajmi.net: Nëse PDK fiton, Bujqësia a do të vazhdojë sërish me Blerandin, apo mund t’i besohet edhe dikujt tjetër?
Stavileci : Unë mendoj që edhe Blerandi edhe të gjithë emrat e tjerë të përveçëm janë vetëm pjesë e një ekipi. Ky ekip duhet të fitoj, pra ekipi i PDK-së. Momenti që fiton PDK-ja, që besoj që asnjëri nuk ka dyshim në këtë, atëherë do të ketë kohë që të bisedohet për të ardhmen. Për mua është e rëndësishme të fitoj PDK-ja, të fitoj lista jonë, të fitoj ekipi ynë, pastaj emrat e përveçëm Blerandi ose ai tjetri,  sepse mendoj se janë shumë të vegjël krahasuar me atë që prezanton dhe përfaqëson PDK-ja.