Fonde socio-ekonomike

Ministri i Financave, Besim Beqaj, thotë se Kosova mund të marrë fonde nga Banka për Zhvillim e Këshillit të Europës. Përfaqësuesi i kësaj banke, Stephan Sellen tha se janë shikuar mundësitë e investimit në Kosovë.

Lajme

20/11/2013 11:20

Ministri i Financave, Besim Beqaj zhvilloi sot një takim me përfaqësuesit e Bankës për Zhvillim të Këshillit të Europës.

Nga kjo bankë ai tha se Kosova synon që të vjelë fonde socio-ekonomike në mënyrë që të përmisojë mirëqenien e qytetarëve të Kosovës.

“Kosova është anëtari i 41 i BZHKE, bankë e cila ka një rëndësi të veçantë sa i përket investimeve në fondet të cilat kanë të bëjnë me kohezionin socio-ekonomike respektivisht, me fonde të cilat kanë të bëjn me integrime”.

“Kohezioni socio-ekonomik ka të bëjë me përmisimin e infrastrukturës bazike të qytetarëve, prandaj në këtë drejtim e kemi mirëpritur vizitën e BZHKE’së dhe jemi të gatshëm për të bashkëpunuar”.

“Është bërë identifikim i disa projekteve të mundshme qoftë në ndërtim të shtëpive të cilat mund të vijnë nga këndvështrimi i njerëzve të cilët mund të kthehen apo projekte të cilat kanë të bëjnë me ujësjellës e kanalizime, me trajtime të ujërave të zeza. Pra, ka të bëjë me integrim respektivisht me kohezionin socio-ekonomik i cili mundëson që vendet apo zonat të cilat janë më pak të zhvilluara, të kemi përfitim të këtyre fondeve”.

Ministri Beqaj tha se me përfaqësuesit e BZHKE’së kanë biseduar edhe për mënyrën sesi mund të vijnë fondet në Kosovë. Sipas tij, janë tri mundësi se si kjo bankë mund të sjellë fonde për Kosovën.

“Një është përmes donacioneve sovrane ku shteti merr obligim”.

“Mundësia e dytë është nëpërmes ndërmarrjeve publike të cilat ofrojnë shërbime publike. Ne përmendëm projektet e ujsjellësave, menaxhimit të ujërave të zeza, pra janë të natyrës kur mund të përmisohet në mënyrë të ndjeshme jeta e qytetarëve”.

“Pastaj është banimi social i cili mund të bëhet qoftë nëpërmjet fondeve në bashkëpunim me Qeverinë apo nëpërmes mekanizmave të ndërmarrjeve publike”.

“Forma e tretë që është jashtëzakonisht e rëndësishme dhe unë i kam inkurajuar përfaqësuesit e bankës që të shohin është sektori privat.  Ne besojmë fuqishëm që sektori privat është gjenerues edhe i rritjes ekonomike dhe i punësimit”.

Zëvendësdrejtori i përgjithshëm i BZHKE’së, Stephan Sellen tha se Kosova ka plotësuar kushtin e parë, që është anëtarësimi në këtë bankë. Gjithashtu ai tha se është i kënaqur me politikat buxhetore të Kosovës.

“Mendoj se kushti i parë është plotësuar, duke u bëra anëtare e bankës. Kemi pasur takime bilaterale me Ministrinë dhe kemi qenë të kënaqur me Kosovën që ka politika buxhetore të duhura”.

“Ne kemi tre linja të sektorit të aktiviteteve këto janë kryesisht, integrime sociale që do të thotë në praktikë financimi i infrastrukturës sociale që është shëndetësia, arsimi dhe banimi social”.

“Linja e dytë e aktiviteteve që i kemi ne është mbrojtja dhe menaxhimi i çështjeve të mjedisit, në këtë kontekst kemi financuar në të kaluarën dhe në vende të tjera dhe vazhdojmë ta bëjmë këtë. Gjithashtu infrastruktura në kontekst të ujit, mbeturinave, ujërave të zeza dhe menaxhimit të tyre”.

“Linja e tretë e aktiviteteve që është me rëndësi është krijimi dhe ruajtja e vendeve të punës. Këtë e bëjmë në shumë vende duke ofruar financim afatmesëm dhe afatgjatë për bankat të cilat pastaj i huajzojnë këto fonde për ndërmarrje të vogla dhe të mesme, që janë në fakt edhe motor i krijimit të vendeve të punës”, tha Stephan Sellen.