FMN: Ekonomive në Ballkan ju duhen reformat strukturore

Shtetet e Ballkanit Perëndimor duhet t’i trajtojnë deficitet e larta të buxheteve të tyre, t’i shkurtojnë deficitet e tregtisë, t’i privatizojnë institucionet publike dhe të punojnë në reformat e tregut të punës, thuhet në raportin më të ri të Fondit Monetar Ndërkombëtar.

Lajme

12/03/2015 23:36

Raporti i prezantuar këtë javë në Vjenë ka analizuar rritjen ekonomike, politikat fiskale dhe reformat e tregut të punës që nga viti 2000.

Shqipëria, Bosnja dhe Hercegovina, Kroacia, Kosova, Maqedonia, Mali i Zi dhe Serbia, që të gjitha këto kanë shënuar arritje të mëdha ekonomike në 15 vjetët e fundit.

Por, këto shtete kanë nevojë që të kompletojnë tranzicionin në ekonomitë e tregut, në mënyrë që të hedhin baza për një rritje të qëndrueshme në të ardhmen.

FMN-ja i kërkon shteteve të Ballkanit Perëndimor që t’i ngushtojnë hapësirat e mëdha në buxhetet e tyre, të reduktojnë barrën e borxhit publik dhe të ndalojnë kreditë e këqija, nëse ato janë në rritje, dhe të arrijnë ish-shtet komuniste që tani janë në BE.

sipas këtij raporti të FMN-së, disa shtete kanë bërë hapa prapa krahasuar me shtete tjera ish-komuniste që kanë kaluar nëpër të njëjtin tranzicion ekonomik dhe politik, duke shtuar se në vitin 2008 rënia ekonomike ka “theksuar dobësimin e tyre”.

“Gjashtë vjet pas krizës, është e qartë se Ballkani Perëndimor mbeti prapa në krahasim me shtetet tjera të zhvilluara të Evropës në rritjen e të ardhurave dhe mbylljen e zbrazëtirave me shtetet e përparuara të Bashkimit Evropian” thuhet në raportin e FMN-së.

Autoritetet duhet të ndërmarrin hapa për të eliminuar pengesat ligjore, gjyqësore, të taksave dhe rregullatorit, si dhe të zgjerojnë rolin e sektorit privat dhe të sistemeve bankare.

FMN-ja këshillon shtetet që të mbrojnë stabilitetin e tyre makroekonomik dhe të nisin reforma strukturore.

“Pa reforma të mëtutjeshme, zbehja e rritjes përgjatë viteve të fundit mund të bëhet normë, që do të vinte në rrezik konvergjencën e standardit jetësor drejt niveleve të avancuara të ekonomike të BE-së, dhe do t’i mohonte mundësitë e punësimit në shumë shtete të rajonit”, tha David Lipton, zëvendësdrejtor i parë menaxhues në FMN. /Kallxo.com/