FMN e kënaqur me të arriturat e ATK-së

Ministri i Financave Besim Beqaj është takuar sot me Misionin e Fondit Monetar Ndërkombëtar, të udhëhequr nga Enriko Aav i cili ka qëndruar në Kosovë me qëllim të ofrimit të asistencës teknike për Administratën Tatimore të Kosovë.

Lajme

31/10/2014 20:39

Kështu thuhet në një njoftim të Ministrisë së Financave, ku thuhet ndër të tjera se ministri Beqaj ka falënderuar ekipin e FMN-së për përkrahjen e deritashme për ATK-në dhe ka shprehur bindjen se bashkëpunimi i suksesshëm do të vazhdoj edhe në vitet në vijim.

Në njoftim, thuhet po ashtu se ministri Beqaj informoi përfaqësuesit e FMN-së mbi të arriturat e fundit të ATK-së si dhe për orientimet strategjike për vitet në vijim.

Ndërsa nga ana tjetër, Aav tha se FMN është shumë e kënaqur me të arriturat e deritanishme të ATK-së dhe thuhet të ketë shprehur falënderimin për mikpritjen dhe bashkëpunimin e deritanishëm.

Për më tepër, Aav, thuhet të jetë zotuar se ekipi i tij dhe FMN do të vazhdojnë të përkrahin ATK-në edhe në vitet në vijim, si në përgatitjen e Planit Strategjik të ATK-së, ashtu edhe në implementimin e tij.