Flisnin arabisht, s’lejohen të hipin në avion

Dy pasagjerë janë penguar të hipin të mërkurën në bordin e një avioni udhëtarësh në aeroportin e Chicagos për shkak se janë dëgjuar duke folur arabisht.

Bota

22/11/2015 08:57

Ky incident dëshmon atmosferën e nervozizmit që ndërlidhet me atentatet e Parisit. Dhe, diçka e ngjashme duket të ketë ndodhur edhe në shtete të tjera të SHBA-së.

Maher Khalil dhe Anas Ayyad, qytetarë amerikanë me origjinë palestineze, po bëheshin gati të hipnin në avionin e kompanisë “Southwest Airlines” kur një agjent i kompanisë amerikane u ka treguar, duke u kërkuar falje, se nuk mund të hipnin në bord pasi që një pasagjer tjetër, i cili ka thënë t’i ketë dëgjuar të flisnin arabisht, kishte frikë të udhëtonte në të njëjtin avion me ta.

Dy miqtë janë intervistuar nga shërbimi i sigurisë i aeroportit “Chicago Midway”, si dhe nga Policia, para se përfundimisht të lejoheshin të hipnin.

“Nëse ai person nuk ndihet i sigurt, le të udhëtojë me autobus”, i ka thënë Khalil agjentit të “Southwest Airlines”.

“Ne jemi qytetarë amerikanë sikur secili”.

Pasi kanë hipur, shumë pasagjerë të shqetësuar kanë kërkuar nga Maher Khalil të hapte kutinë e vogël të bardhë që e kishte në dorë, ka treguar ky për kanalin lokal televiziv “NBC 5 Chicago”.

“Menjëherë, unë fillova ta ndajë bakllavanë me ta”, ka treguar ai, duke folur edhe me ironi.

“Southwest Airlines” ka njoftuar për “biseda (të personelit) me klientë, të cilët na janë afruar gjatë procedurës së hipjes”, pa dhënë më shumë hollësi.

“Të gjithë pasagjerët kanë udhëtuar deri në Philadelphia, ku ata kanë mbërritur me dhjetë minuta vonesë”, ka shtuar kompania.

Edhe shumë incidente të tjera kanë ndodhur ditëve të fundit në fluturime të brendshme në SHBA. Pothuajse në të gjitha rastet kishin të bënin me pasagjerë me origjinë nga Lindja e Mesme.

Po ashtu, në Chicago, të mërkurën janë zbritur nga një avion tjetër gjashtë pasagjerë, të cilët, sipas shumë medieve, janë detyruar të marrin një avion tjetër. /ZËRI/