Flet nxënësja që u ther me thikë nga një femër tjetër në Ferizaj

Një nxënëse e shkollës së bujqësisë në Ferizaj, javën që lamë pas, mori plagë nga therja me thikë që iu bë nga një femër, pikërisht në oborrin e shkollës, tek po zhvillohej mësimi.

Lajme

31/05/2016 16:42

Vanesa Topalli nga Zllatari i Ferizajt, për Televizionin Tema ka treguar se rasti ndodhi pas një zënke të mëhershme që e kishte pas me vajzën e cila e theri me thikë.

Rastin e therjes me thikë në oborrin e shkollës “Zenel Hajdini”, e konfirmoi edhe drejtori Eshref Qerimi. Ai tha se një rast i tillë në këtë institucion,  nuk ka ndodh tash e shumë vjet, por atë ditë shkolla kishte shumë aktivitete me maturantë dhe vëzhgimi nga mësimdhënësit  ka qenë më i vështirë. Drejtori nuk pati lëvdata të mira as për nxënësen e kësaj shkolle.

“Ne si drejtori dhe staf i shkollës kemi qenë shumë të angazhuar dhe ngarkuar dhe s’kemi mundur që në nivelin e duhur ta vëzhgojmë situatën brenda dhe jashtë shkollës, për arsye se atë ditë kanë qenë paraqitjet për testin e maturës. Ne kemi qenë në zyrë dhe na erdhën informatat që një nxënëse e jona është plagosur me thikë nga një vajzë tjetër e cila nuk është nxënëse e shkollës tonë. Të them të drejtën ka vite që në shkollë nuk kemi pasur incidente të ngjashme, kacafytje s’kemi pasur as ndër meshkuj e lëre më një rast të tillë ku vajzat mund të jenë viktima. Rasti është lajmëruar menjëherë në polici dhe ata po zhvillojnë hetimet. Po ashtu mund të them se nxënësja  jonë në klasën e dhjetë nuk i ka sjelljet e lakmueshme“, tha Qerimi.