Flet mjeku i Skënderbeut: Ja e vërteta me Jashanicën

Mjeku i Skënderbeut, Jorgo Pantazi, ka sqaruar dje të vërtetën e historisë së mbrojtësit Bajram Jashanica, në ditën e ndeshjes ndaj Jang Bojsit, në 28 shtator të vitit të kaluar, kur dhe kosovari bëri testin antidoping. Pantazi është 100% i bindur se Jashanica nuk ka përdorur një substancë të ndaluar. Ai tregon të gjithë kronologjinë e ngjarjes, si dhe vendimin për të marrë ilaçin kundër alergjisë.

Sport

03/03/2018 18:42

“Bajram Jashanica nuk ka përdorur substanca të ndaluara dhe për këtë ju garantoj me 100%, pasi është ndër më të rregulltit te Skënderbeu, ashtu siç janë edhe lojtarët e tjerë. Në ditën e ndeshjes ndaj Jang Bojs, në 28 shtator, kujtoj që në orën 10:00 Jashanica ka qenë i mbushur me puçrra, njësoj sikur ta kishte pickuar diçka.

Shkuam menjëherë në urgjencë dhe atje mjekët që e kanë vizituar, kanë vënë re se është pickuar ndoshta nga ndonjë insekt, pasi ishte i skuqur thuajse në të gjithë pjesët e trupit, duke pasur edhe kruarje. Ata i dhanë këtë ilaç, që është një familje e ultrakortenit dhe ishte i vetmi që mund t’i bënte efekt. Pas këtij momenti, me sa mbaj mend, deri në orën 16:00, Jashanicës thuajse i kaloi gjithçka dhe qetësohet.

Kjo ishte procedura që ndoqëm ne si staf mjekësor i ekipit, pasi pyetëm mjekët e urgjencës”, ka thënë fillimisht mjeku i korçarëve. “Biseda me UEFA-n” – Pantazi rrëfen edhe negociatat me përfaqësuesit e UEFA-s pas ndeshjes me Jang Bojsin, kur dhe Jashanica ishte planifikuar të bënte testin antidoping, ku nga dy lojtarë për ekip e kryejnë gjithnjë.

“Në përfundimin e ndeshjes, në bazë të procedurës, ne kërkuam lëshimin e një autorizimi të përdorimit të substancës nga Komisioni i Antidopingut të UEFA-s, por kjo na u refuzua. Gjithsesi, dua të sqaroj se ajo që përdori Jashanica, ishte e vetmja që mund të kryente pas reaksionit alergjik që pati dhe kjo substancë nuk është doping që të jep energji.

Kam dëgjuar dhe kam lexuar orët e fundit që kjo substancë të vë në gjumë apo fjalë të tjera, çka nuk kanë aspak lidhje me atë që po ju sqaroj, pasi nuk i dha energji që të ndikonte si substanca të tjera dopuese.

Kjo është situata e asaj dite dhe nëse duhet ta lejonim apo jo Jashanicën që të ishte në fushë, kjo është diçka tjetër. Është substanca e fundit dhe më e lehta që përdoret në të tilla raste dhe Jashanica e përdori sepse duhet të largonte reaksionin. Kjo është e gjitha ajo që ka ndodhur me lojtarin”, përfundoi mjeku korçar.