Flet minatori i cili mbeti i ngujuar nga zjarri në Trepçë

Sot në mesditë është djegur një trafo në minierën e Trepçës ku për disa orë kanë mbetur të ngujuar mbi 100 minatorë.

Lajme

22/01/2019 18:08

Njëri nga minatorët e ngujuar, Gani Osmani, ka treguar për Klan Kosovën se si mbetën brenda në minierë.

“E kemi filluar punën diku rreth orës 11:30 kur është ndalë rryma dhe janë ndërprerë të gjitha lidhjet telefonike. Nga sipërfaqja kemi qenë të informuar nga një telefon me bateri që rryma nuk do të vjen për një kohë të gjatë”.

“Kemi ndje panik dhe kemi marrë vendim që ne punëtorët të dalim nga daljet emergjente. Disa minatorë kanë vendosur të ecin në këmbë, ndërsa pjesa tjetër më të moshuarit kanë vendosur të presin. Kur ndalet rryma as kompresori nuk punon dhe nuk ka as ujë”.

“Kemi qenë të izoluar totalisht, kemi shkuar në pjesën veriore, nuk kemi pas asnjë informatë deri në orën 16:30, por të gjithë kemi dalën shëndoshë e mirë”.

Ndërkaq, pjesa më e madhe e Mitrovicës ka mbetur pa rrymë dhe nuk do të kenë edhe për një kohë derisa të riparohet.