Flet investitori që nuk po mund ta shfrytëzojë lokalin e privatizuar

Emisioni ‘Drejtësia në Kosovë’ sonte transmetoi hulumtimin i cili edhe një herë dëshmoi pengesat që u bëhen investitorëve nga diaspora dhe atyre të huaj në shfrytëzimin e pronave të privatizuara në Kosovë.

Lajme

23/02/2018 22:39

Patrick Fluder, një bashkatdhetar nga Zvicra, i cili ka privatizuar një lokal në Mitrovicë, nuk po mund ta shfrytëzojë atë nga frika se mos po ndodhë ndonjë incident në mes tij dhe ish qiraxhinjve të atij lokali.

“Më 9 dhjetor 2016 kam konkurruar dhe kam qenë ofertuesi më i lartë me çmimin 328.888 euro, dhe nuk po me lejojnë ish qiraxhinjtë. Kam pasë kërcënime, kanosje, shantazhe dhe gjëra negative. Kërkesa e tyre është që unë të tërhiqem nga kjo blerje sepse thonë që kanë punuar për kohë të gjatë dhe nuk lejojnë që dikush tjetër të zhvilloj biznes aty”, tha Fluder i cili ka sqaruar së lokali po rri i zbrazët.

“Lokali është liruar më 7 prill 2017, m’u kanë dorëzuar çelësat, i kanë lanë tendat aty. Kam kërkuar që t’i largojnë që të më lejojnë ta zhvilloj biznesin por në asnjë mënyrë nuk pranojnë një gjë të tillë dhe shkaku i frikës që mos të ndodhë diçka e keqe në qytetin e Mitrovicës ende nuk kam shkuar ta hap”, theksoi Fluder për emisionin ‘Drejtësia në Kosovë’.

Hulumtuesit e “Drejtësia në Kosovë” disa herë kanë provuar të takohen me shfrytëzuesin e dikurshëm të lokalit, Gentuar Aliun, mirëpo ai nuk ka pranuar të flasë para kamerës.