Flet drejtori që u sulmua në zyren e tij

Drejtori i Shërbimeve Publike në Gjilan, Naser Korça dje ishte shënjestër e një sulmi fizik nga katër persona.

Lajme

20/06/2018 14:41

Korça konfirmoi për KALLXO.com se të dyshuarit për sulmin ndaj tij janë pronarë të një linje të autobusave në Gjilan.

Ai pohoi se kishte qenë i paralajmëruar për sulmin por, sipas tij, nuk pati reagim nga Policia derisa ai ndodhi.

“Kanë ardhë në zyre katër vetë, dy prej tyre vëllezër me dy nipa dhe kanë kërkuar një sqarim. Ia kemi dhënë sqarimin për çka janë të interesuar dhe ata nuk e kanë pranuar atë… kanë ardhë ma kanë rrëzu tavolinën, kanë kapë kompjuterë i kanë rrëzuar. Fatmirësisht kanë qenë edhe nja dy punëtorë të tjerë edhe ata kanë intervenuar, i kanë ndalur”, rrëfen Korça.

Ai tha se ka pasur lëndime të vogla nga ky sulm, mirëpo pati dëme materiale në zyrë.

“I kemi lajmëruar policinë, por fatkeqësisht menjëherë pas një ore ose dy i kanë liruar. Dy kanë qenë më agresivë që ia kam identifikuar policisë. Kam pasur lëndime nëpër duar, setrën e grisur, pantollat e grisur…Po se një ditë përpara mbrëmje më ka thirrë edhe e kam lajmëruar policinë që nesër pritet me na ardhë me na sulmu, kam kërkuar sigurim prej policisë në orën 7 e gjysmë me dërgu, nuk e kanë dërgu hiq deri kur na kanë sulmuar. Përndryshe një ditë më parë policia ka qenë e njoftuar me rastin krejt”, tha Korça.

Ai thotë se motivi për sulmin ndaj tij është refuzimi i tij që t’i jap monopol në treg kompanisë që e udhëheqin të dyshuarit për sulm.

“Unë me ta nuk kam asgjë personale. Arsyeja ka qenë se pse një pronari tjetër që operon me autobusa në drejtimin ku operojnë këta ia kemi lëshuar edhe një linjë shtesë, por edhe këtyre ia kemi lëshuar një e këta kanë kërkuar që këtyre me ja lëshu (linjën) e atyre jo. Këta po dojnë me pas monopol”, tha Korça.

Në anën tjetër raporti i detajuar i policisë mbi sulmin thotë se motivet për këtë sulm nuk dihen ende.

“Policia e Kosovës në Gjilan është njoftuar se katër të dyshuarit shqiptarë- shtetas të Kosovës, e kanë sulmuar fizikisht Drejtorin e Shërbimeve Publike, në zyrën e tij, me ç ‘rast i kanë shkaktuar dëme materiale në zyrë, ndërsa i njëjti fatmirësisht nuk ka pësuar lëndime trupore. Kanë ndërhyrë punëtorët tjerë të komunës, të cilët edhe e kanë ndaluar sulmin… Motivet e rastit janë duke u hetuar”, thuhet në raport.

Drejtori Korça megjithatë thotë se tanimë nuk ndihet i sigurtë për të kryer punën e tij.

“Jo shumë i sigurt me faktin që dje i kanë liruar që të katërt, më kanë sulmuar në zyre, e kanë sulmuar drejtorin dhe zyrtarët tjerë”, tha Korça.