Flet autori i logos së re të 10 vjetorit të pavarësisë: S’është e vjedhur, të dyja i kam punuar unë

Pas dyshimeve se edhe logoja tjetër e shënimit të 10 vjetorit të pavarësisë së Kosovës është plagjiaturë, ka folur autori i saj.

Lajme

13/01/2018 20:42

Lajmi.net ka kontaktuar me Zani Ballazhin, autorin e logos, i cili ka thënë se është autor edhe i logos së Kongresit tematik të BDI-së e realizuar në vitin 2015.

“Ato logo janë autorësi e imja, nuk janë logo të shfrytëzuara apo të vjedhura, autori i të dyjave jam unë, kam drejtën autoriale për to”, ka thënë Ballazhi për lajmi.net.

Ai ka shtuar se nuk ka menduar që do të ketë reagime për logon. “Jo s’e kam mendu, se në veprat e mija qofshin edhe dizajnet e fundit unë i avancoj ato në një stil të veçantë timin dhe ky stil vërehet në të gjitha punimet e mija, sikur edhe ato të 100 vjetorit d.m.th janë vijat që unë i shfrytëzoj në bazë të asaj që dedikohet”, ka thënë tutje ai.

I pyetur se a ka qenë i njoftuar komisioni e ai është autor edhe i logos së BDI-së para tri vjetësh, Ballazhi ka thënë: “Unë konkurroj në konkurse të ndryshme ndërsa tjetër kush vendos se kush të fitoj apo jo”.

Logoja e parë e përzgjedhur nga një komision doli të jetë plagjiat. Ishte e ngjashme me një agjenci turistike në Gjermani. Pas debatit që u bë për atë logoja, presidenca e Kosovës e anuloi dhe u shpall një tjetër. /Lajmi.net/

Lexoni edhe:

A është e “vjedhur” edhe logoja tjetër e 10 vjetorit të pavarësisë së Kosovës? /FOTO