Flasin të moshuarit për krizën demografike në Shqipëri

Lindshmëria në Shqipëri po zvogëlohet dita-ditës, gjë që po çon në thellimin e krizës demografike.

Lajme

18/08/2018 17:26

INSTAT-i publikoi që gjatë tremujorit të dytë të këtij viti lindjet u ulën me 25 për qind. Qytetarët shpjegojnë arsyet.

“Është shumë e vështirë ta rrisësh tani, stresi, puna e vështirë, s’e gjen punën. Ndërsa atëherë ishin burrë e grua në punë dhe kishin të garantuar fëmijën në kopsht e çerdhe”, thotë një qytetare e moshuar, raporton Tch.

“Në familje kemi qenë 6 fëmijë, katër motra e dy vëllezër. Kurse sot, tani fëmijët bëjnë një e dy. Prandaj bie numri. Unë dy fëmijë kam. Vajza ime ka bërë një, kurse djali dy. Nuk bëjmë më thonë se s’e përballojnë dot jetën”, thotë një tjetër i moshuar.

“Fëmija është pasuri themi ne. Çdo fëmijë ka kësmetin e vetë”, thotë e moshuara tjetër.

Tkurrjen e popullsisë së Shqipërisë e paralajmëroi edhe Organizata e Kombeve të Bashkuara që në raportin e këtij viti, paralajmëroi që brenda një shekulli popullsia e vendit tonë do të shkojë nën 1 milionë banorë.