Flasin për kufirin

Delegacioni i Kosovs dhe ai i Serbisë do të bisedojnë për fazën e ardhshme të përgatitjeve për ndërtimin e objekteve të përbashkëta të IBM’së në të gjitha pikë-kalimet kufitare në mes të Kosovës dhe Serbisë.

Lajme

20/11/2013 08:29

Delegacioni i Kosovës dhe ai i Serbisë do të zhvillojnë sot në Bruksel takimin e radhës për zbatimin e marrëveshjes së Menaxhimit të Integruar të Kufirit në mes të Kosovës dhe Serbisë.

Njoftohet se në agjendën e këtij takimi të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian do të diskutohet për mbarëvajtjen e zbatimit të deritanishëm të marrëveshjes.

Po ashtu, do të bisedohet për fazën e ardhshme të përgatitjeve për ndërtimin e objekteve të përbashkëta të IBM’së në të gjitha pikë-kalimet kufitare në mes të Kosovës dhe Serbisë, si dhe do të diskutohet për çështjet që ndërlidhen me avancimin e komunikimeve në mes të agjencive të të dyja shteteve përgjegjëse për kontrollin kufitar.

Delegacioni i Kosovës udhëhiqet nga Zëvendëskryeministrja Edita Tahiri dhe në të bëjnë pjesë edhe Dren Zeka, Këshilltar i saj politik, Fisnik Rexhepi, Koordinator nacional për zbatimin e IBM’së, Qemajl Marmullakaj nga Zyra e Kryeministrit, Shaban Guda nga Policia e Kosovës, Blerim Halimi nga Doganat e Kosovës, Valdet Gjinovci nga Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë dhe Murat Meha nga Agjencia Kadastrale e Kosovës.