Flasin familjarët e vajzës së mitur, profesorit dhe policit që abuzuan me të

Rasti i vajzës së mitur nga Drenasi po vazhdon ta trondit vendin.

Lajme

07/02/2019 19:41

Një numër qytetarësh sot protestuan para stacionit kryesor të policisë në Prishtinë pasi një pjesëtar i saj u përfshi në skandalin e abuzimit me të miturën ndërkohë që gjatë ditës u arrestua edhe profesori i saj që po ashtu kishte abuzuar me vajzën.

Gazeta Express ka qëndruar gjatë ditës në Drenas ku ka folur me familjet e vajzës, policit e profesorit

Shtëpitë e tyre janë vetëm 200 metra larg njëra tjetrës. E në shikim të parë, në njërën nga lagjet e fshatit Poklek të Drenasit, duket se çdo gjë është në rregull.

Në këtë rrugë, A.G, tashmë 18 vjeçare, çdo ditë së bashku me shoqet do të dilte për të luajtur volejboll, një sport që është pasioni i saj.

E pikërisht aty, do të takohej me atë që më vonë do t’i shndërrohej në makth. Ai ishte, fqinji, profesori, e më vonë edhe ai që do t’i premtonte gjithçka në këmbim të favorit seksual.

Krejt kjo, histori makthi kishte filluar në vitin 2016’të, kur vajza ishte vetëm 16-vjeçare.

Duke i premtuar se jeta e saj do të rregullohej sapo të përfundonte shkollën, e të dy do të martoheshin, për 1 vit e gjashtë muaj, profesori 39 vjeçari Shkelzen Xhekaj, edhe pse atëkohë ishte i martuar, nuk e pati problem të mbante lidhjen, për sa kohë që e njëjta qëndronte pa e ditur dikush nga familja e tij.

Krejt kjo ndryshoi sapo vajza komunikoi me gruan e tij, e atëherë profesori deshi të dalë nga lidhja që të mos shkatërrojë familjen.

Atëherë, A.G, vendosi që krejt rastin ta shpjegojë para policisë, me shpresën që aty do të mund të gjende ndihmë, pasi që frikë kishte nga familja.

Por, krejt ajo që do të duhej të ishte zgjidhje i doli makthi i dytë që e përjetoi për më shumë se një vit. Vesel Veseli, shef i hetimeve në Komunën e Drenasit, do ta shantazhonte e do ta keqpërdorte seksualisht, deri kur e njëjta do të mbeste shtatzënë e do të abortonte pa dëshirën e saj.

Mësohet se babai i katër fëmijëve Vesel Veseli ka lidhje familjare me të miturën, e të njëjtën e kishte njohur mirë.

Gazeta Express sot gjatë ditës ka qëndruar në shtëpinë e vajzës A.G, në shtëpinë e profesorit Shkelzen Xhekaj, e në shtëpinë e policit.

Të gjithë këta kanë treguar anët e tyre të historisë, e çdo kush pretendonte se ishin palë e pafajshme.

Mëngjesin e së enjtes hetuesia herët ishin nisur për në shtëpinë e A.G, ajo edhe gjatë ditës do të tregonte historinë e cila së fundmi po e shtynte të mendonte edhe vetëvrasjen.

E tronditur, nuk po dinte se si të vazhdonte të shkonte në shkollë, e as jetën e saj.

Familja e vajzës të tronditur nuk kishin shumë fjalë për rastin, veçse një gjë e dinin sigurt se për dallim nga hera e parë, asnjë nga deklaratat e vajzës në polici për të dy nga rastet nuk do të tërhiqej.

Ata shpjegojnë se qysh në rastin e parë, vajza ishte mashtruar me martesë e për këtë kishte vendosur që të tërhiqte padinë.

“Mësusi e ka rrejt i ka thanë që të marrë, veç shko hiqe padinë, kur e kryjti ato jo nuk po muj se pe prishi familjen, normal që prishet familja kur ka fëmijë e sene”, deklaroheshin familja e vajzës.

Prindërit e saj deklaroheshin se rastin e kishte lajmëruar e vetme në polici, sepse ishte frikësuar.

Ata po thonë se me rastin e mësuesit ishte mashtruar vetëm që i njëjti të përfitonte seksualisht nga ajo, ndërkaq thonë se në rastin e policit vajza nuk kishte dashur të abortonte, mirëpo, polici, që është edhe i njohur i familjes i kishte thënë se nëse nuk do të abortonte do të vriste veten.

Për këtë arsye vajza i kishte shpjeguar prindërve që ishte frikësuar. Familja e saj po thonë se e kanë të vështirë pasi që po hasin në shumë paragjykime për këtë rast, por thonë se as nuk ia falin për atë që i ka bërë vajzës.

“Edhe ai tash e çon fëmijën në shkollë qysh i doket me ja bo atij dikush qashtu”, deklaroheshin familja.

Për rastin e policit thanë se kanë marrë vesh nga vajza se nuk po e linte vend pa ndjekur gjithashtu dhe kurdo herë që e kishte thirrur për të dalë duhej të ishte vajza e gatshme. Të gjithë rastin familja G, ia kanë lënë drejtësisë, e nga ta tashmë po presin lajme të mira.

Rrëfimi i familjes së profesorit

Shkelzen Xhekaj kishte dalë herët nga shtëpia të enjten, e familjarëve do t’u thoshte se po shkonte të takohej me një shok.

Por, nga Drenasi ai nuk do të kthehej më pasi që Policia do ta intervistonte e më pas do të arrestonte nën dyshimet për keqpërdorim seksual duke keqpërdorur pozitën, autoritetin apo profesionin.

Rasti më së shumti kishte tronditur familjen e tij, por, ata megjithatë, vazhdonin të thonin se familjari i tyre ishte i pafajshëm.

Gjatë ditës, gruaja e tij ishte duke i dërguar fëmijët në shkollë, ndërkaq, prindërit e tij i thanë Expressit se drejtësia do të vendos në favor të tyre.

“Rasti ka dalë po rasti është kry që dy vjet gati, shihet dicka që po mshifet, prokuroria e ka shpallë të pafajshëm pa asnjë vërejtje. E kanë kthy në shkollë, edhe ka vazhdu ka punu hala aty”, tha babai i Shkelzenit.

Familja e profesorit

Ai gjithashtu kishte disa fjalë edhe për familjen e vajzës.

“I njohim familjen e asaj vajzës vetëm për të zi, pse me lanë djalin të fajshëm e policin të fajshëm, faji i saj u kanë. Sen ska thanë djali, sen ska pas tu shku n’shkollë u kanë si ma mirë, sen faj ska pasë, ska pas punë me kanë po ja kanë ngjit fjalët, i dulën fjalët pa pas sen”, rrëfente ai.

Gjithashtu, prindërit pohonin se e kishin parë vajzën disa herë para shtëpisë së tyre, e krejt kjo ishte bërë me një qëllim sipas tyre.

“Sen ska thanë djali as sen s’ka pas me to, po ja ka mat dikush me qitë prej punës, por se mrrinën ato, për arsye se prokurorja kur u shku në prokurori ka deklarua se ka gabu qysh është shpreh dhe nuk ka asgjë me to”, thoshte prindi i profesorit.

Edhe gruaja e tij, sipas prindërve, ka besim në burrin e saj dhe me të njëjtin nuk ka probleme, megjithëse e njëjta tha se nuk flet me mediat për këtë rast.

Shkelzen Xhekaj është arrestuar sot gjatë ditës dhe të njëjtit i është shqiptuar masa e ndalimit për 48 orë. Express dje gjatë ditës kishte raportuar për deklaratat e vajzës A.G në polici lidhur me rastin.

Mbyllet familja e Vesel Veselit

Polici hetues Vesel Veseli sot gjatë ditës doli para drejtësisë, e për të njëjtin u vendos se do të vazhdojë të qëndrojë në burg.

Rasti i 50-vjeçarit kishte tronditur më së shumti katër fëmijët e tij.

Familja e Vesel Veselit

Nën lot, vajza e tij nuk ka pranuar të flas asnjë fjalë, ndërkaq, shoku i tij tha se rasti është i montuar dhe e vërteta do të dalë së shpejti në shesh.

Ndërkohë, Gjykata Themelore e Prishtinës ka caktuar 30 ditë paraburgim ndaj policit Vesel Veseli, i dyshuar për përdhunimin e një të miture, e më pas detyrimin për abortim.