Flasin dy deputetët e “kriminalizuar”

Prokuroria e Përgjithshme në një dalje të posaçme për mediat, njoftoi sot se do t’i kërkojë KQZ¬-së në zbatim të ligjit “Për garantimin e integritetit të personave që zgjidhen, emërohen ose ushtrojnë funksione publike”, ndërprerjen e mandatit të deputetit për Dashamir Tahirin dhe Shkëlqim Selamin.

Lajme

20/12/2016 17:24

Të dy deputetët të kontaktuar nga “Panorama” shprehin habi me veprimet e organit të akuzës, duke theksuar se nuk kanë fshehur asgjë në formularin e Dekriminalizimit. Prokuroria bëri me dije se, është konstatuar se dy deputetët e Kuvendit të Shqipërisë në bazë të ligjit për “Verifikimin e Integritetit të personave që zgjidhen, emërohen ose ushtrojnë funksione publike” ose te njohur ndryshe si Ligji “Për Dekriminalizimin” duhet të dorëzojnë mandatin e deputetit.

Sipas prokurorisë, Dashamir Tahiri rezulton se është raportuar nga policia italiane për krime lidhur me falsifikimin e parave në vitin 1995 dhe për përdorim të një leje drejtimi shqiptare të falsifikuar në vitin 2009 po në Itali.

Tahiri sqaron se këto dy çështje nuk i ka mbajtur të fshehura dhe se këtu nuk ka asnjë vepër penale që e detyrojnë atë në bazë të Ligjit të Dekriminalizimit të dorëzojë mandatin e deputetit.

“Jam ndaluar për budallallëqe, ndërkohë që këta duhet të merren me trafikantë të drogë dhe kriminelë. Nuk jam arrestuar asnjëherë, jam ndaluar Italia për shkelje të rregullave të qarkullimit rrugor. Dorëzova patentën shqiptare dhe autoritetet italiane pretendojnë se ajo është false. Këto akuza janë qesharake, mua nuk më kap as ligji i dekriminalizimit me këto. Nuk ka të drejtë prokuroria të kërkojë ndërprerjen e mandatit për këtë akuza”, shprehet Tahiri.

Ndërsa për Shkëlqim Selamin thuhet se, është ndaluar me urdhër të Gjykatës së Brindisit në vitin 2006 si i akuzuar për pjesëmarrje në organizatë kriminale që merrej me “Trafikim të qenieve njerëzore”.