Flamuri që ‘sundon’ oqeanet

Panamaja është shtet i vogël me vetëm tre milionë banorë, por për nga numri i flamujve që mbajnë anijet në ujrat ndërkombëtare, del se ky vend ka flotën më të madhe detare në botë, më të madhe se Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Kina së bashku. 

Bota

05/08/2014 18:11

E si është e mundur që ky vend kaq i vogël në Amerikën Qendrore arrin të ‘sundojë’ valët?

Falë pozitës së saj gjeografike, në mes të dy oqeaneve, atij Atlantik dhe Paqësor, Panamaja është një nga “rrugët” apo një nga “urat lidhëse” më të rëndësishme të botës për tregëtinë detare.

Për 100 vjet, kanali i famshëm, Kanali i Panamasë, përmes të cilit lidhen dy oqeanet, ka dhënë mundësinë e një rruge të shkurtër për anijet që dëshirojnë të shmangin rrugën e rrezikshme të Kepit Horn.

E cilësuar si një prej 7 mrekullive të botës moderne, kanali i gjatë prej 77 kilometrash është një kryevepër e inxhinierisë, nëpër të cilin qarkullojnë rreth 14 mijë anije në vit.

Shumica e këtyre anijeve lundrojnë nëpër këtë kanal duke valëvitur flamurin panamez, edhe pse ky vend ka një histori jo shumë të bujshme të tregtisë detare, dhe tregtisë në përgjithësi.

Shteti i Panamasë ka pak anije të veta dhe një numër të kompanive që ofrojnë shërbime suplementare detare rreth porteve dhe kanalit.

Shumica e anijeve tregtare mbajnë flamurin e Panamasë, janë anije të pronarëve të huaj, por e bëjnë një gjë të tillë, që t’iu shmangen rregullave strikte tregtare, të vendosura nga vendet prej nga vijnë.

Ndërsa Panamaja, falë pozitës dhe kanalit të saj, vepron sipas asaj që tashmë quhet “regjistër i hapur”.

Flamuri i saj ofron avantazhet e regjistrimit të lehtë (edhe përmes internetit) dhe të drejtën për të punësuar punëtorë të huaj me një çmim të lirë.

Për më tepër pronarët e huaj nuk paguajnë asnjë taksë mbi të ardhurat e krijuara.

Rreht 8600 anije valëvisin flamurin panamez, ndërkaq flamuri i SHBA-ve valëvitet nga 3400 anije të regjistruara, nërsa ai kinez valëvitet prej 3700 anijeve të regjistruara.

Sipas të drejtës ndërkombëtare, çdo anije tregtare duhet të regjistrohet në një vend, i njohur si shtet flamur.

Ai shtet pastaj ka juridiksionin e plotë mbi anijen dhe është përgjegjës për inspektimin që ai të jetë i sigurtë në lundrim, si dhe shteti ka të drejtë që të kontrollojë kushtet e punës së ekuipazhit.

“Regjistri i hapur”, që ndryshe njihet edhe si “Flamuri i komoditetit” ka qenë një sistem i diskutueshëm që prej fillimit të përdorimit të tij.

Rasti i parë daton që prej vitit 1922, kur dy anije me pasagjerë nga SHBA-të u regjistruan në Panama, pasi që pronarët dëshironin që tu shërbenin pasagjerëve të tyre edhe alkool gjatë ndalimit.

Rastet tjera që pasuan më shumë kishin të bënin me dëshirën e pronarëve të anijeve të cilët dëshironin që të shmangnin “pagesat e larta” dhe “kushtet e mira të punës” për ekuipazhin e tyre, ku si shembull, me legjislacionin e SHBA-ve, keto janë kritere të domosdoshme për regjistrim, shkruan BBC, transmeton lajmi.net.

Gjatë Luftës së Dytë Botërore, numri i anijeve që u regjistruan në Panama u rrit shumë, pasi që SHBA-të kërkonin që të ulnin shpenzimet e përgjithshme, e në anën tjetër, edhe europianët filluan që të regjistronin anjijet e tyre në Panama, me qëllim që t’iu shmangeshin taksave të larta prej vendeve nga vinin.

Gjatë Luftës së Ftohtë, SHBA-të filluan që të regjistronin anije edhe në Liberi, por Panamaja është vendi që në regjistrin e saj ‘të hapur” ka numrin më të madh të anijeve, e pasuar nga Liebria, Ishujt Marshall, Hong Kong dhe Singaporti.

Vetëm në vitin 2013, më shumë se tre e katërta e flotës në mbarë botën është e regjistruar nën një flamur, i cili nuk është i shtetit të tij.

Dhe regjistrimi i anijeve në Panama, nuk është se nuk i ka sjellur përfitim këtij shteti, pasi vetëm nga kjo gjë, ky vend përfiton gjysmë miliardë dollarë në vit.

Por, jo të gjithë pajtohen me këtë sistem të “regjistrit të hapur”, që lejon shmangien nga tatimet.

Luis Fruto, i cili është përfaqësues i Federatës së Punëtorëve të Transportit (ITF) në Panama, ka thënë se vendi po e mbyll një sy ndaj “përgjegjësive të tij në mënyrë që të arrihet numër sa më i madh i regjistrimit të anijeve”.

Kjo federatë ka promovuar një fushatë kundër “flamurit të komoditetit” që prej vitit 1958.

Federata konsideron se regjistrimi panamez është më i mirë se disa nëse shikohet nga këndvështrimi i përfitimeve, por ka shumë të meta serioze në fusha të tjera, siç është ai i mbikëqyrjes, hetimit, aksidenteve dhe ekuipazhit ndihmës.

Përshkak të standardeve të ulëta që ka “flamuri i komoditetit”, po ndodhin shumë aksidente fatale në det të hapur, prandaj kjo federatë po bën fushatë që standardet të rriten, që të ketë më shumë siguri dhe të shmangen aksidentet fatale. /lajmi.net/