Flamengo insiston për Robinhon

E ardhmja e Robinhos do të jetë larg Milanit. Sulmuesi brazilian mund të kthehet në atdhe. Për të, interesim ka shprehur Flamengo, ndërsa ai po kërkon shtëpi në Rio de Janeiro.

Sport

18/05/2014 13:35

Robinho i ka bërë valixhet gati dhe gjatë verës pritet të largohet nga Milani. Sipas uebfaqes braziliane Lancenet.com.br, sulmuesi brazilian do të kthehet në atdhe, pas një periudhe prej një dekade, të kaluar në Evropë.

Për ish futbollistin e Real Madridit e Manchester Cityt, interesim ka shprehur Flamengo, e cila e kërkonte futbollistin edhe në janar, duke ofruar 6 milionë euro, por kjo ofertë ishte refuzuar nga Rossoneri.

Klubi brazilian tash ofron 3 milionë euro, por Milani nuk duket se do ta pranojë këtë ofertë.

Gjithashtu, nga Brazili qarkullojnë zëra se Robinho ka filluar të kërkojë shtëpi në Rio de Janeiro, qytet ky ku Flamengo e ka selinë.