Flaka që “dogji 105 mijë euro” në Riza Lushta

Më shumë se 105 mijë euro janë dëmet e shkaktuara nga zjarri në stadiumin “Riza Lushta” në Mitrovicë që kishte ndodhur para dy javësh, ndërkaq përkundër zërave se shkaktari ka mundur të jetë faktori njeri, zyrtarët policorë thonë se zjarri është shkaktuar nga stabilimentet elektrike.

Lajme

17/01/2015 08:27

Drejtori për Kulturë, Rini dhe Sport në komunën e Mitrovicës, Kujtim Isa, ka thënë për KosovaPress se Komuna e Mitrovicës së bashku me Ministrinë përkatëse, do të ofrojnë mbështetjen e tyre, duke u munduar që deri në fillim të stinorit pranveror t’i përfundojnë punimet në renovimin e këtij stadiumi.

Një gjë të tillë e pati premtuar edhe ministri i Ministrisë për Kulturë, Rini dhe Sport, Kujtim Shala, i cili e pati vizituar këtë stadium ditën e incidentit.

“Drejtoria e KRS-së në Mitrovicë bashkë me MKRS-në, do të ofrojnë mbështetje maksimale dhe do të mundohemi që fillimi i kampionatit ta gjejë stadiumin “Riza Lushta” të renovuar”, theksoi Isa.

Kryetari i KF Trepça, Abedin Zeka, ka bërë të ditur se komisioni përkatës për vlerësimin e dëmeve të shkaktuara nga zjarri në stadiumin “Riza Lushta”, ka evidentuar së fundi dëmet që kapin shifrën prej 105 mijë e 856 euro.

Sipas tij, fatkeqësia që ka ndodhur e dëmton tej mase punën e klubit. Ai u shpreh optimist se renovimi i stadiumit do të ndodhë shumë shpejtë, pasi sipas tij, klubi ka marr mbështetje të fuqishme nga komuna dhe Ministria, edhe pse pranoi se deri tani nuk është ndërmarrë asgjë në këtë drejtim.

“Vlerën e saktë të dëmit nuk e kemi ditur deri dje, kur një ekip ekspertësh nga komuna na kanë vizituar dhe kanë konstatuar se dëmi i shkaktuar kap shifrën prej 105 mijë e 856 euro. Nëse duam vërtetë ta shpëtojmë këtë stadium, atëherë është urgjente të bëhet ndërrimi i kulmit në mënyrë që të shpëtohen edhe ato pak gjëra që kanë shpëtuar. Ia kemi thënë ministrit dhe të tjerëve se ne nuk duam të kemi qasje në mjete financiare absolutisht. Kërkesa jonë e vetme është që ata të angazhojnë një kompani serioze për kryerjen e punimeve shpejtë dhe mirë, ndërsa kemi ofruar asistencën e më shumë se 100 personave vullnetarë që janë tifozë të Torcidës, në mënyrë që punimet të përfundojnë sa më shpejtë. Në këtë drejtim, po qe nevoja, nuk do të mungojmë as ne anëtarët e kryesisë, por edhe vetë lojtarët”, ka thënë për KosovaPress Zeka.

Ai ka falënderuar ministrin Shala dhe të tjerët për interesimin, si dhe mbështetjen e ofruar, duke shpresuar se ata do ta mbajnë fjalën.

Në lidhje me shkaktarët e mundshëm të fatkeqësisë, Zeka tha se në disa raste e kanë njoftuar Policinë e Kosovës se aty rrinë disa persona që konsumojnë drogë.

“Në dy tri raste të tjera më parë ka ndodhur të ketë pasur tentim për zjarrëvënie, por patëm reaguar me kohë”, tha ai.

Edhe Fahredin Duraku, trajner i klubit ‘Trepça 89’, ka sqaruar se fatkeqësia që ka ndodhur në këtë stadium ka ndikuar negativisht në rrjedhën e përgatitjeve për stinorin pranveror.

“Futbollistët e Trepçës 89 kanë filluar përgatitjet në kushte të vështira, por me aspirata të mëdha. Mungesa e zhveshtoreve, si dhe bora e madhe në fushë paraqet një sfidë për të gjithë ne. Fitnesin e realizojmë detyrimisht në hapësirat e restaurantit të klubit, ndërsa ushtrimet siç po e shihni edhe vetë jemi duke i bërë në stadiumin ndihmës”, ka thënë Duraku.

Pavarësisht kësaj, shtoi ai, qysh në ditët e para të përgatitjeve brenda klubit mbretëron një atmosferë pune dhe një mobilizim i gjithmbarshëm.

Ai u shpreh i bindur se pas gjithë atyre premtimeve të njerëzve kompetentë, stadiumi do të renovohet deri më 28 shkurt, kur edhe fillon stinori pranveror.

Në anën tjetër, i kontaktuar nga KosovaPress zëdhënësi i policisë për rajonin e Mitrovicës, Avni Zaihti, ka thënë se vlerësimet që janë bërë nga ekspertët, kanë rezultuar se shkaktar i zjarrit ka qenë rryma.

“Në bazë të hetimeve shkaktarët tash për tash për incidentin e zjarrit që ka përfshirë pjesën e mbuluar te stadiumit dyshohet të jenë stabilimentet elektrike”, theksoi Zahiti.

Ndryshe, stadiumi “Riza Lushta” në Mitrovicë ishte përfshirë nga flakët më 3 janar 2015, me ç’rast është djegur çatia e tribunës qendrore, lozhat, si dhe një pjesë e zhveshtoreve, ndërsa përveç dëmeve, nuk pati të lënduar në njerëz.