Fjalimi i Frashër Krasniqit, nxit debat në Kuvend

Frashër Krasniqi nga Grupi i Deputetëve të Pavarur Parlamentar, sot në seancën e Kuvendit të Kosovës ka polemizuar me deputetët e LDK-së, duke i akuzuar ata se gjatë procesit gjyqësor për rastin e sulmit ndaj Kuvendit të Kosovës, i kanë quajtur "terroristë" aktivistët e Vetëvendosjes.

Lajme

16/03/2018 11:20

“Tash e dy vjet po akuzohemi per nje rast per terrorizëm ku ska pase asnjë provë që do ta dëshmonte fajësinë tonë, na kanë akuzu për terrorizëm dhe asnjëherë nuk ju është ndërpre fjala, disa deputetë të LDK-së në akuzonin që ju jeni terroristë, dhe nuk e mernin parasysh se çfarë pasoja do të ketë kjo te familjet tona. Në momentin që Apeli vendosi vendosi me na liru neve, Kadri Veseli e pa të nevojshme me na e nal mikrofonin. Kryetari i Kuvendit po sillet si me pas Kuvendin pronë të veten, nuk mundet me ja ndërpre fjalen deputetit pa e dit se ska cka me thanë. Për dy vjet na i keni torturu familjet tu na thanë terrorista, sot keshni edhe boni hajgare se ju dhemb e vërteta.” tha Krasniqi.

E ndërkaq, Kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli, tregoi se pse i ndali mikrofonin Frashër Krasniqit në seancën e kaluar ku ai mori fjalën, raporton lajmi.net.

“Ju ka ndal fjala për shkak të shprehjes “ftyrat”. Ky mundet me e fy Kadri Veselin mirëpo asnjëherë deputetët e Kosovës” tha Veseli.

Debatit ju bashkangjit edhe deputeti i LDK-së, Kujtim Shala, i cili kërkoi nga Frashër Krasniqi të mos ndërhyjë në punët e gjyqësorit, dhe të tregojë me emra deputetët e LDK-së që i thanë terroristë aktivistëve të Vetëvendosjes të akuzuar për sulmin ndaj Kuvendit të Kosovës.

“Juve do të ju bëj një pyetje të drejtëpërdrejtë, me sa di unë rasti është kthyer në rigjykim, dhe kjo është një arsye më shumë që mos të ndërhyhet, meqë thatë që ka deputetë të ldk-së, a mund të thoni se si e kanë emrin ata deputetë që kanë thënë ashtu” tha Shala

Ndryshe, Gjykata e Apelit ditë më parë e ktheu në rigjykim çështjen e sulmit ndaj Kuvendit të Kosovës, ku të akuzuar ishin aktivistë të Vetëvendosjes, duke përfshirë edhe të ndjerin, Astrit Deharin/Lajmi.net/