Fjalët e para të Maldinit pas rikthimit në Milan

I lumtur por edhe i emocionuar si një fëmijë. Pas 9 vitesh Paolo Maldini rikthehet në atë që mund të konsiderohet pa frikë si shtëpia e tij, te Milani.

Sport

06/08/2018 18:07

Kapiteni legjendar dhe i paharrueshëm i kuqezinjëve ka pranuar t’i bashkohet projektit të fondit Elliott për të rikthyer Milanin në majat e futbollit italian dhe atij europian. Bashkë me Leonardon ai do të vijojë menjëherë punën për të mirën e Milanit. Maldini është vendosur në një pozicion të krijuar posaçërisht për të, por gjithsesi shumë të rëndësishëm pasi do të jetë drejtor i zhvillimit strategjik dhe anës sportive. Në Casa Milan, ish kapiteni është prezantuar zyrtarisht duke thënë edhe fjalët e tij të para përpara gazetarëve.

Çfarë të bindi t’i bashkohesh këtij projekti?

“Nuk kam thënë kurrë jo, pa biseduar më përpara. Me Barbara Berlusconin bisedimet nuk shkuan në pikën më të mirë, ndërsa me pronarët kinezë nuk kishim përcaktuar as rolin tim në klub. Tashmë situata është ndryshe. Leonardo më ka treguar projektin ndërkohë që kam folur me pronarët e klubit të cilët më kanë shpejguar se çfarë duan të bëjnë. Besoj në këtë projekt dhe jam i lumtur që do të jem pjesë e tij”.

Ndërkohë Leonardo ka shuar ëndrrat e tifozëve kuqezinj të cilët nga merkato prisnin edhe një mesfushor të madh, duke deklaruar se te Milani në ditët e mbetura të merkatos nuk do të afrohet asnjë mesfushor me peshë pasi nuk ka kapacitetin financiar për të sjellë në ekip emra si Milinkovic-Savic apo Rabiot.