Fjalëkalimi i ri: Ndryshimi

Nuk e ka ndërmend kush të thirret në konceptin e vazhdimësisë në këtë politikën kosovare. Të gjithë janë bërë bashkë rreth ofertës së quajtur ndryshim.

Lajme

25/05/2017 14:46

Megjithëse ende nuk ka nisë formalisht fushata për zgjedhjet parlamentare të 11 qershorit, përditë e më shumë po kuptohet se cila do të jetë porosia krysore e të gjitha subjekteve politike  (koalicioneve, entiteteve të veçanta), të cilat do t’i sprovojnë forcat dhe ndikimin e tyre tek qytetarët e Kosovës.

Mbase, aty këtu do të vazhdohen të përdoren simbolet letrare në këtë politikën tonë që nuk ka gjë të përbashkët me letërsinë, ende do të jenë në qarkullim shkurtesat që ngërthejnë në vete negativitetin e plotë për kundërshtarët, tutje do të ketë politikanë që zgjedhjet e qershorit do t’i klasifikojnë si ‘përplasje qytetërimesh’  (të Samuel Huntingtonit) dhe të ‘mirës dhe të keqes’  (të Manikeizmit), por në instancë të fundit, kur e gjithë kjo betejë zgjedhore do të zhveshet prej këtyre elementeve shtesë, do të kuptohet që të gjithë pretendentët kanë të njejtin synim.

Natyrisht, nuk bëhet fjalë këtu për fitoren, e cila i bashkon të gjithë. Një tjetër veçori i bën bashkë të gjitha koalicionet dhe entitetet politike shqiptare në Kosovë. Ajo ka të bëjë me insistimin këmbëngulës të të gjithë polikanëve kryesorë shqiptarë dhe të entiteteve që përfaqësojnë, që ndryshimi i madh, për të mirë, do të ndodhë në Kosovë, nëse ata do të udhëheqin me institucionet kryesore të vendit.

Nuk e ka ndërmend pra kush të thirret në konceptin e kontinuitetit, të vazhdimësisë në këtë politikën kosovare. As ata që ishin në krye të Qeverisë së koalicionit, që udhëheqi me vendin në 30 muajtë e kaluar, e lëre më partitë/ entitetet opozitare.

Duke përdorë secili një rrugë të veten, politikanët shqiptarë kanë mbërritë aty ku qëmoti janë pozicionuar qytetarët e Kosovës, ata që shquhen me një vlerësim apo qëndrim që tubon atë mesataren, atë të zakonshmen.

Qytetarët ka kohë që i kanë folur qartë politikanëve shqiptarë: Qoftë edhe kur kanë heshtur (edhe kjo ka qenë heshtje e mllefit apo edhe e dëshpërimit), kur kanë abstenuar në votime, kur nuk kanë dalë në protesta të opozitës, kur nuk i janë bashkuar ngjarjeve të organizuara nga qeveria, madje, edhe kur ia kanë mësyer të largohen nga Kosova, në ata muajtë dramatikë të dimrit të viteve 2014, 2015.

Politikanët rëndom ia kushtojnë vëmendjen qytetarëve vetëm pak javë para zgjedhjeve, dhe në ditën e votimit. Çfarë ndodhë në ndërkohë, apo në mes dy votimeve, kjo nuk luan fort rol ndër ne, në këtë politikën kosovare, ndërsa në realitet, do të duhej të ndodhte e kundërta: Politika do të duhej të funksiononte si duhet, me atë orarin 24/7, veçmas kur bëhet fjalë për politikën që ushtrohet nga institucionet qendrore të vendit.

Por, veçmas viteve të fundit, ka qenë në fuqi një lloj i abstenimit të politikanëve nga politika. Me motive nga më të ndryshmet.

Sidoqoftë, në një tabllo imagjinare të situatës ku jemi tash, si Kosovë, mund t’i paramendojmë politikanët dhe qytetarët e vendit, në secilin prej shesheve të qyteteve kryesore të Kosovës, duke qëndruar së bashku, me një fjalëkalim apo kod që është fare i thjeshtë: Ndryshimi.

Kemi mbërritë, si po duket në stadin kur të gjithë ne kuptuam që cikli politik, që ka nisur në vitin 2008, me shpalljen e shtetit të Kosovës, ka marrë fund në majin e këtij viti, me shpalljen e zgjedhjeve të reja.

Ne mund të themi ditë e natë, ta zëmë, që kemi zhvillimin më të lartë ekonomik në rajon  (me afër 3.5%-4% në vjet), por të gjithë e dimë që nëse shkalla e rritjes ekonomike nuk do të mbërrinë te 7%-shi, atëherë nuk do të ketë ulje të mirëfilltë të papunësisë dhe rritje të njëmendtë të buxhetit.

Ne mund të zotohemi ditë e natë që sundimi i ligjit është prioritet i të gjithë neve, por ne e dimë shumë mirë që nuk është rendi të transformohemi në një shoqëri evropiane me ngecjet evidente në luftimin e krimit dhe të korrupsionit.

Ne poashtu mund ta kemi gojën plotë Amerikë dhe Evropë dhe Perëndim, por për ta dëshmuar njëmend që jemi pro-amerikanë dhe pro-evropianë, do të duhet të ndryshojmë rrënjësisht si politikanë.

Dhe kështu me radhë.

Qytetarët e rëndomtë nuk kanë më durim, madje, nuk kanë as rezerva të shpresës më, kur flasin për pritjet e tyre prej politikanëve dhe prej partive.

Për këtë shkak, njëmend është rasti i fundit, për politikën kosovare, që ta prezentojë dhe ta jetësojë ndryshimin.

(Autori është kolumnist i rregullt i lajmi.net)