Fjalë të mira nga Obama

Kryeministri Hashim Thaçi deklaroi nga New York'u se nga Presidenti Barack Obama ka marrë një mbështetje të fuqishme për konsolidimin e shtetit të Kosovës dhe integrimet euroatlantike. Po ashtu, tha se garanton që do të vijnë edhe njohje tjera për Kosovën.

Lajme

29/09/2013 21:54

Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, ka deklaruar se ka qenë një mundësi jashtëzakonisht e mirë për shtetin e Kosovës, në kuadër të punimeve të Asamblesë së Përgjithshme të OKB’së, për të pasur takime të niveleve më të larta.

Në një intervistë për RTK, ai e vlerësoi si tepër të rëndësishëm takimin me Presidentin e SHBA’ve, Barack Obama, nga i cili pohoi se ka marrë mbështetje të fuqishme për Kosovën.

“Patëm pritje të organizuar nga Presidenti Obama, për t`i shprehur falënderimin e Kosovës në emër të Qeverisë dhe popullit për mbështetjen e SHBA’së ndaj Kosovës, për qëllimin dhe vizionin tonë për të punuar edhe më tepër në mbështetje të plotë të SHBA’së për anëtarësimin e Kosovës në NATO dhe BE’në, si dhe në OKB”, ka deklaruar Kryeministri Thaçi, për RTK’në.

“Nga Presidenti Obama kemi marrë një mbështetje të fuqishme për konsolidimin e shtetit dhe integrimet euroatlantike”.

Sa i përket njohjes së shtetit të Kosovës, Kryeministri Thaçi ka thënë se gjatë kësaj jave kanë ndodhur takime të rëndësishme për procesin e njohjeve të reja.

Tha se ka pasur angazhime konkrete dhe vendime konkrete.

“Në ditët e fundit, kemi marrë tri njohje të reja. Tash, e kemi rritur numrin në 104. Do të ketë edhe njohje të reja. Jemi duke zhvilluar shumë takime, rreth 70 takime, me përfaqësues të shteteve të ndryshme”.

“Ne morëm këto ditë tri njohje. Mund t’ju garantoj se njohje tjera pritet të vijnë, përfshirë edhe 5 vendet e BE’së”.

“Kosova tani shikohet si një storie e plotë e suksesit, si një shtet me perspektivë euroatlantike. Presim që të punojmë edhe më tepër në njohjen e pesë vendeve të BE’së”.