Fjala përfundimtare në gjykimin e gjykatësit dhe avokatit të akuzuar se shpallën të gjallin të vdekur

Në gjykimin e ish-gjyqtarit Sami Gërdovci dhe avokatit Miriman Vehapi, të cilët nga Prokuroria akuzohen se me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm pasuror e kanë shpallur të vdekur Rrahim Bajramin në mënyrë që më pas të përfitonin nga prona e tij, është dhënë fjala përfundimtare.

Lajme

22/03/2018 23:59

Sipas prokurores Mirrushe Llugiqi, gjatë këtij shqyrtimi gjyqësor me administrimin e të gjitha provave si dëshmisë së të dëmtuarit Rrahim Bajrami dhe dëshmitares Sanije Muqolli është arritur që të vërtetohet gjendja faktike se të akuzuarit i kanë kryer veprimet për të cilat akuzohen.

“Pas përfundimit të të gjitha seancave të këtij shqyrtimi gjyqësor me rastin e analizimit të të gjitha provave të administruara deri më tani kam ardhur në përfundim që gjendja faktike e cila ka qenë e paraqitur në aktakuzë është vërtetuar në tërësi. Të pandehurit janë kryes të veprave penale në rrethanat që janë përshkruar si në aktakuzë, si nga dëshmia e të dëmtuarit Rrahim Bajrami edhe nga dëshmia e dëshmitares Sanije Muqolli, me deklaratat e të cilëve është arritur të vërtetohet se të pandehurit e kanë kryer veprën penale për të cilën akuzohen”, deklaroi prokurorja.

Prokurorja madje e komentoi edhe vendimin e të akuzuarve të cilët gjatë këtij shqyrtimit gjyqësor kanë vendosur që të mbrohen në heshtje.

Sipas prokurores arsyeja pse të akuzuarit kanë vendosur që të mbrohen në heshtje ka qenë pasi që nuk kanë pasur asnjë kundërargument të cilin kanë mundur ta shpërfaqin.

“Kanë zgjedhur që të mbrohen në heshtje sepse nuk kanë pasur se çfarë të thonë dhe të përgjigjen me asnjë kundërargument. Në veprimet e të pandehurve në tërësi janë manifestuar elementet esenciale me figurën e veprës penale, nxjerrja e kundërligjshme e vendimeve gjyqësore si dhe keqpërdorimi i besimit. I propozoj gjykatës t’i shpallë fajtorë për veprat penale të kryera dhe t’i dënojë sipas ligjit”, shtoi prokurorja Llugiqi.

Sipas përfaqësuesit të palës së dëmtuar, avokatit Ragip Zeneli, të akuzuarit edhe përkundër faktit se ish-gjyqtarja e çështjes e kishte kundërshtuar kërkesën për abrogim të masës së përkohshme të sigurimit, prapë se prapë të akuzuarit kishin vazhduar në zyrë për marrëveshje për abrogimin e kësaj mase.

“Veprat penale nga të akuzuarit janë kryer me dashje e të cilin fakt e vërteton edhe deklarata e dëshmitares ish-gjyqtares Sanije Muqolli, e cila në mënyrë kategorike e ka kundërshtuar kërkesën e të akuzuarve për abrogimin e masës së përkohshme të sigurimit edhe me faktin të cilin ua ka shpjeguar se meqë ajo është gjyqtare e çështjes ajo është e autorizuar që të nxjerrë apo të e abrogojë masën e sigurimit në këtë çështje por përkundër kësaj të akuzuarit kanë vazhduar në zyre për marrëveshje për abrogimin e një mase të tillë”, tha avokati Zeneli.

Masë kjo e cila sipas mbrojtësit të të dëmtuarit Rrahim Bajrami, atij po aq sa i ka sjellë dëm material i ka shkaktuar edhe dëm moral sepse sipas avokatit shqetësimet kanë qenë të jashtëzakonshme jo vetëm të tij por edhe shqetësimet familjare të familjes së ngushtë dhe të gjerë.

Kurse sipas avokatit Ibrahim Maxhuni, prokurorja në fjalën përfundimtare ka përfshirë prova të cilat lërë më se nuk janë administruar por që as nuk janë propozuar për administrim. Tutje avokati tha se për të ekzistuar vepra penale duhet që të përmbushen katër elementet e veprës penale për të cilat tha se fare nuk ekzistojnë në këtë rast.

“Në fjalën përfundimtare të prokurores dhe përfaqësuesit të palës së dëmtuar janë përfshirë provat të papranueshme përkatësisht ato që as nuk janë propozuar për administrim. Për të ekzistuar vepra penale duhet të ekzistojnë katër elemente: A është vendimi i kundërligjshëm? A ka dëm? A ka përfitim pasuror dhe a ka dashje? Po del se ka përfitu Miriman Vehapi por nuk po propozohet sekuestrimi i asaj pasurie, jo pse është harruar por se nuk ekziston”, deklaroi avokati Maxhuni.

Maxhuni tutje shoti se i mbrojturi i tij Sami Gërdovci vetëm e ka konstatuar në procesverbal fjalën e palëve se ka vdekur Rrahim Bajrami dhe nuk e ka shpallur të vdekur atë. Prandaj kërkoi nga Gjykata që ta hedhë si të pabazuar aktakuzën dhe të mbrojturin e tij ta lirojë nga aktakuza pasi që veprimet për të cilat ai akuzohet sipas avokatit nuk përbëjnë vepër penale.

Ndërsa mbrojtësi i Miriman Vehapit, avokati Florent Latifaj tha se i mbrojturi i tij me veprimet e ndërmarra ka vepruar në favor të të autorizuarit të tij, Budimir Steviq, e jo siç thuhet në aktakuzë se ka ndërmarrë veprime në disfavor të tij.

“Miriman Vehapi ka kërkuar që të shfuqizohet një masë e cila është caktuar kundër të autorizuarit të tij Budimir Steviq pra paska tentuar që të bëjë diçka në favor të tij ndërsa aktakuza e akuzon se ka keqpërdorur autorizim që vetit t’i sjellë përfitim pasuror. Të nderuar trup gjykues vetëm shikoni elementet e veprës penale se cili element është përmbushur për ekzistimin e kësaj vepre, edhe sikur të ishte shfuqizuar masa çfarë dëmi do t’i ishte shkaktuar Budimir Steviqit, kuptohet se vetëm favor sepse ai do të përfitonte e kurrsesi nuk do të humbte, e jo të përfitonte Mirimani ashtu siç e përcakton aktakuza”, tha avokati Latifaj.

Ish-gjyqtari Sami Gërdovci akuzohet se ka kryer veprën penale nxjerrja e kundërligjshme e vendimeve gjyqësore ndërsa Miriman Vehapi akuzohet për veprën penale keqpërdorim i besimit, pasi që për të njëjtit prokuroria po pretendon se me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm pasuror e kanë shpallur të vdekur Rrahim Bajramin në mënyrë që më pas të përfitonin nga prona e tij./Kallxo.com