Fituesit e Kosovës janë “racë e re” politike

Fitoret më të bukura të këtyre zgjedhjeve në Kosovë, ishin fitore jo vetëm ndaj kundërshtarëve, por dhe ndaj modelit se si janë drejtuar partitë në Kosovë.

Opinion

02/12/2013 13:16

Zgjedhjet e së dielës në Kosovë ishin një sukses, ku fitoi politika e re, personaliteti i kandidatëve dhe aftësia shtetërore e Kosovës për të mbajtur zgjedhje të lira dhe të ndershme. Rezultatet në tërësi ishin një rebelim ndaj qeverisjes aktuale vendore, por dhe perceptimit të qeverisjes qendrore në tërësi dhe i dhanë një shans të pazakontë ndryshimit në bastionet e dy partive më të mëdha. Vetëvendosja përmbysi historinë politike të Prishtinës, duke i dhënë kryeqytetit një kryetar të mirëshkolluar dhe me pasion për qytetin, Mimoza fitoi Gjakovën, në emër të një partie që nuk ia zbeh bukurinë fitores së saj, ndërsa LDK fitoi Pejën dhe Ferizajn, me dy kandidatë që nuk ishin “racë” e lidershipit të saj.

Votimi në tërësi ishte një goditje ndaj qeverisjes aktuale, kastave të partive, arrogancës së pushtetit qendror.

Për të kuptuar se fituesit e vërtetë të zgjedhjeve nuk janë “racë” e liderëve të partive në emër të të cilëve kanë fituar, po përpiqem të portretizoj disa nga fitoret që shkëlqyen më tepër.

Më i bujshmi prej tyre, Shpend Ahmeti, është një emër që ju bashkua “Vetëvendosjes” pasi dështoi në sprovën e tij të parë politike nën siglën e një partie simpatike, por të pavotuar në Kosovë, të quajtur FER (Fryma e Re), e cila bashkoi disa vite më parë të rinjtë e Kosovës, shkolluar në Perëndim. Pas dështimit të partisë së tij, ai iu bashkua “Vetëvendosjes” dhe ruajti brenda saj profilin e tij. Ai është një lider luajal i Kurtit, por jo i ngjashëm me të. Ai në një farë mënyre nuk është “raca” e Vetëvendosjes në aspektin nacionalist, në akrobacitë fetare dhe në retorikën izolacioniste. Ai është një lider me ide të reja të guximshme, që ka bashkuar me “Vetëvendosjen” pasionin dhe idealizimin për të ndryshuar Kosovën. Nuk ka fituar në Prishtinë si nacionalist apo revolucionar, por si njeri me vizion që do ta bëjë Prishtinën më shumë të shqiptarëve që e duan atë, dhe që dëshiron të bëjë realisht një revolucion në mënyrën se si do ta qeverisë. Ai ka mundur praktikisht të fusë një “Frymë të re” në Vetëvendosje dhe kjo e bën më të çmuar fitoren e tij. Ai fitoi në Prishtinë, aty ku “Vetëvendosja” u themelua dhe ku i ka strukturat më të forta, çka është shenjë se “Vetëvendosja” e pranon Shpendin dhe frymën e tij.

Vetëvendosja në këto zgjedhje ka pësuar ulje të ndjeshme rezultati në gjithë Kosovën dhe Shpend Ahmeti nuk është vetëm triumfatori i saj, por dhe i vetmi kapiten rezervë që arriti ta nxjerrë në breg anijen, që mund të zhdukej krejt nga skena politike e Kosovës, nëse nuk merrte Prishtinën. Në një farë mënyre ai ka fituar jo vetëm përballë Isa Mustafës dhe viskozitetit të tij politik në krye të Prishtinës, por dhe ndaj vizionit politik të Kurtit, për mënyrën se si fitohen votat në Kosovë.

Një risi e re janë fitoret brenda LDK, ajo e kandidatit të Pejës, Gazmend Muhaxheri dhe e kandidatit të Ferizajt, Muharrem Svarça. Të dy kanë përmbysur bastione të forta të Thaçit dhe Haradinajt. Të dy fituesit nuk janë “racë” autoktone e LDK-ës së sotme, por janë njerëz që i janë imponuar LDK-së si kandidatë. Kandidati i Pejës ka ardhur nga disa sprova të tjera politike jashtë LDK-së dhe në fund ka mundur të bëj një mini-koalicion fluid edhe me kundërshtarë të LDK-së në Pejë. Tjetri, ai i Ferizajt, ka ardhur nga diaspora e Gjermanisë dhe ka mundur të bashkojë ose të neutralizojë fraksionet e vjetruara të LDK-së në Ferizaj, dhe ia ka dalë. Edhe këto dy fitore janë një leksion për lidershipin e LDK-së se si duhet fituar. LDK është partia që pati rritjen më të madhe në këto zgjedhje dhe humbjen më të hidhur, atë të kryetarit, një leksion ky për modelin e lidershipit të ri që duhet të ketë.

Risi është dhe fitorja e Mimozës në Gjakovë. Në zgjedhjet e shkuara ajo ishte afër fitores dhe pretendoi për manipulime, por këtë radhë ia doli të fitonte nën siglën e partisë së Pacollit. Fitorja e saj është një fitore e pastër personale, që bazohet deri diku tek origjina e saj, profili politik në publik, zhgënjimi nga qeverisja aktuale e Gjakovës, dhe jo tek modeli i partisë që blen vota për shkak të pareve që ka. Edhe fitorja e saj është një sinjal se si duhet të orientohet lidershipi i asaj partie.

Vetë partia në pushtet e Hashim Thacit, po ashtu u ndëshkua nga përçarja brenda partisë. Në Malishevë, një kandidat i Lëvizjes Qytetare fitoi, duke i mundur të gjithë, por realisht pas tij qëndron rivali brenda PDK-së i Hashim Thaçit, Fatmir Limaj. Ndarja mes Limajt dhe Thaçit duket se ka dhënë efekte të padukshme dhe në qytete të tjera të Kosovës, duke ndihmuar në fundosjen e PDK në garat direkte. Thaçi ka mundur të ruajë vetëm bastionet regjionale, por jo ato politike. Kjo po ashtu është një leksion për lidershipin e tij brenda partisë.

Pra, fitoret më të bukura të këtyre zgjedhjeve në Kosovë, ishin fitore jo vetëm ndaj kundërshtarëve, por dhe ndaj modelit se si janë drejtuar partitë në Kosovë. Kosova ia doli të prodhojë kështu një gjeneratë të re liderësh lokalë, të cilët mund të kenë ndikim të fortë në të ardhmen politike të lidershipit politik në Kosovë. Ata kanë fituar kundër të gjithëve, brenda dhe jashtë partive që përfaqësojë. Siç duhet të fitojnë ata që duan të bëhen liderë!

 

(Marrë nga Gazeta Tema)