Fituesi

11 qershori i sivjetmë ka nxitur ndryshime interesante të skenës politike në vend. Zgjedhjet e parakohshme parlamentare me rezultatet e nxjerra, për Republikën e Kosovës, mund të jenë nisja e një fillimi krejt tjetër nga praktikat e deritanishme. Politikat e reja dhe qasja e ndryshme për perspektiven, nevojat dhe interesat e shtetit e qytetarëve të Kosovës kanë qenë e janë më se të nevojshme. 

Lajme

16/06/2017 19:13

Këto zgjedhje u vlerësuan nga të gjitha instancat, vendore e ndërkombëtare, si të mira, kredibile dhe të qeta. Kjo padyshim mund të konsiderohet edhe fitorja e parë, pas së cilës do t’i renditim fitoret dhe t’i numërojmë të gjithë fituesit e këtij procesi.

Disa subjekte politike pësuan rritje, e disa ndryshim pozicionesh dhe kështu skena politike me të cilën ishim mësuar, duket që do të ndryshojë. Më nuk e kemi atë renditjen PDK, LDK, AAK e Vetëvendosje. Pa dyshim, kjo gjë mund të konsiderohet fitore dhe kjo nga se votuesi i Kosovës siç di të shpërblejë, ai di edhe të ndëshkojë. Demokracia në vendin tonë, ditë pas dite po e merr formën e vet dhe kjo është shumë shpresëdhënëse. Pa dyshim edhe kjo është fitore e shtetit dhe qytetarëve të republikës sonë.

Patëm rastin të shihnim koalicione parazgjedhore gjithandej. Këto koalicione u panë nga perspektiva të ndryshme, herë si të mira, herë si dëmtuese për njëra tjetrën, për partitë e vogla, e po ashtu edhe si kristalizim i skenës politike në vend. Rezultati preliminar i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, bazuar në rreth 98 % të votave të numëruara i jep fitoren e të parit pas zgjedhjeve koalicionit parazgjedhor mes PDK-së, AAK-së e Nisma-së (PAN). Fituesi tjetër që dyfishojë numrin e votave në këto zgjedhje është Lëvizja Vetëvendosje nën drejtimin e liderit jo-formal Albin Kurti. Në anën tjetër koalicioni parazgjedhor mes LDK-së, AKR-së e një fraksioni të njohur si Alternativa (LAA), ngeli të jetë i treti në renditjen e subjekteve politike pas zgjedhjeve, por nxori fitues tentativën e parë serioze për ndryshime e orientime të reja të politik-bërjes brenda LDK-së.

Rritjet, zvogëlimet e ndryshimet paraprakisht të subjekteve politike e më pastaj edhe të skenës politike në një sistem demokratik çfarë synon ta ketë shteti i Kosovës janë krejt normale e shumë të nevojshme. Qëllimi i zgjedhjeve është ndryshimi dhe si i tillë duhet të ndodhin, e ky ndryshim është fitorja kryesore e republikës sonë.

Ata që kanë qeverisur vendin, aq sa kanë mundur dhe kanë ditur, aq edhe është arritur, e ata që do të qeverisin do të kenë para vetës sfidat për arritje të reja. Historia e zhvillimit politik të një vendi përbëhet nga shumë konstelacione e procese politike. Republika e Kosovës prej çlirimit nga thundra gjenocidiale e okupuese e Serbisë në vitin 1999, e më pastaj pas shpalljes së pavarësisë e fillimit të prezantimit të saj si shtet në vitin 2008, ka pasur amplituda të ndryshme të formatit të saj politik. Këto ndryshime kanë rrjedhur si pasojë e rrethanave dhe momentit në të cilat është gjendur vendi, por ajo që i ka munguar e shpresojmë ta fitojë është pasja e politikave që i bien tamam asaj e që nuk vijnë si pasojë e impenjimeve ndërkombëtare.

Në fazën e parë pas këtyre zgjedhjeve, i konsiderojë të gjitha rrethanat si fitimtare, por ajo që do të ishte me vend dhe e duhur është që Republika e Kosovës dhe shoqëria jonë, pas 11 qershorit, ta kalojë me fitore edhe fazën e dytë. Kjo fazë përfshinë krijimin e institucioneve shtetërore, pa kaluar në kriza politike e institucionale dhe vazhdimin e ndryshimeve pozitive për shtetin e qytetarin e Kosovës.

Kombinatorikat janë të nevojshme e ato është e rekomandueshme të ndodhin pa dorën e faktorëve të jashtëm. Çdo kombinatorikë për krijimin e institucioneve të reja shtetërore të vendit, nëse kalon nëpër kriza që e bllokojnë shtetin e proceset shtetërore, do të jenë humbja më e madhe e të gjitha fitoreve të 11 qershorit.

Për fund mund të them se rekomandimi për një koalicion qeveritar në mes të PAN-it dhe Vetëvendosjes mbështetet mbi atë se ky koalicion qeveritar do të mund t’i shtynte përpara proceset e ngelura në të cilat gjendet Kosova. Por, edhe në atë se që të dyja këto blloqe do të mund ta edukonin e të përplotësoheshin njëra me tjetrën, e mbi të gjitha, vendi nuk do të futej në krizë duke vrapuar pas Gjykatës Kushtetuese siç bëri VLAN-i.  Ky rekomandim veç nevojës rrjedh edhe si pasojë e fuqisë së votës që e kanë. Nëse e mendojmë koalicionin mes PAN-it dhe LAA-së nuk do të kishim asnjë ndryshim, veç se një fillim të ri të një loje të vjetër.

Qeveria e ardhshme e Kosovës duhet t’i ketë brenda vetës ish-kundërshtuesit e Demarkacionit e Asociacionit të komunave me shumicë serbe. Probleme këto që do të barten tek qeveria e re e vendit. Në rrethanat e krijuara, me futjen në koalicion parazgjedhor të AAK-së e PDK-së, AAK-ja tanimë mund të bëhet pjesë e Qeverisë, e në anën tjetër e kemi Lëvizjen Vetëvendosje e cila po ashtu mund të jetë pjesë e Qeverisë. Kjo i bije, kombinatorikë e çeljes së rrugëtimit përpara për Republikën e Kosovës.