Fitues dhe humbës relativë

Shkëlzen Maliqi konsideron se në këto zgjedhje ka një fitues relativ - LDK, ndërsa partitë tjera llogariten si humbëse. Nëse raporti i forcave mbetet përafërsisht si sot, ai thotë se pas zgjedhjeve nacionale do të ketë sërish Qeveri që drejtohet nga PDK.

Lajme

05/11/2013 06:21

Harta politike e Kosovës nuk ka ndryshuar shumë në zgjedhjet lokale të 3 nëntorit, ndërsa blloku prej dy partive të mëdha, që dominojnë boshtin e skenës politike kosovare, është rikonfirmuar sërish.

Partia Demokratike e Kosovës dhe Lidhja Demokratike e Kosovës mbeten dy partitë kryesore në vend, me një shkëputje të lartë nga subjektet tjera, në llogarinë e votave në nivel nacional, ndonëse ky lloj krahasimi mes zgjedhjeve lokale dhe atyre parlamentare nuk është krejtësisht i përputhshëm, por mund ta krijojë një orientim.

Nëse flitet për “fitues dhe humbës”, analisti Shkëlzen Maliqi konsideron se votimet e së dielës kanë prodhuar një fitues relativ, ndërsa partitë tjera i sheh si humbëse.

Ai ka analizuar për lajmi.net lëvizjet e fundit të elektoratit.

“Ndër partitë ka vetëm një fitues relativ. Është LDK që ndoshta e ka rritur pak votën dhe me përqindje totale i është afruar PDK’së.”

“LDK si sukses mund ta llogarisë kthimin në Dukagjin, ku dikur ka qenë e fortë. Sidomos, sukses është vendi i parë i Gazmend Muhaxherit në Pejë.”

“Humbëse më e madhe është PDK, gjë që është pritur, për shkak të ikjes së Fatmir Limajt dhe Jakup Krasniqit, menaxhimit të keq dhe mospajtimeve tjera, si në Gjilan.”

“PDK ka më pak votues për aq sa kanë ikur te ata që u ndanë nga Hashim Thaçi.”

“Por, PDK, megjithatë, mbetet partia më e madhe. A do të jetë trendi negativ më i shprehur në zgjedhjet nacionale, mbetet të shihet.”

“Humbësi numër dy është Lëvizja Vetëvendosje, sepse duhet të ketë ulje të votuesve në tërë Kosovën, pos në Prishtinë. Por, Prishtina është storie në vete, ku nuk ka fituar programi i VV’së, por qasja e moderuar e Shpend Ahmetit, që i ka marrë votat e grupeve që partisë nuk ia kanë dhënë votën, por janë vota kundër Isa Mustafës. Derisa VV në Prishtinë ka rreth 20 mijë vota, Shpendi ka 30 mijë vota!”

Shkëlzen Maliqi shpjegon se sukseset e Gazmend Muhaxherit në Pejë, të Shpend Ahmetit në Prishtinë, por edhe të Mimoza Kusarit në Gjakovë, janë indikatorë se votat “shtesë”, që nuk janë të “xhematëve”, dhe që nuk janë vota ekstremiste, duhet të shënjestrohen te shtresat e moderuara të shoqërisë dhe jo të militantët.

Sipas tij, edhe AAK mund të konsiderohet humbëse. Por, megjithatë, Ramush Haradinaj edhe më tuje, në zgjedhjet nacionale, mund të jetë faktor i rëndësishëm për të krijuar koalicion për Qeverinë e Kosovës.

“Humbëse do të jetë edhe AAK, që ka mbetur te votat dhe përqindjet e veta, por nëse nuk fiton në Gjakovë dhe Pejë, e për këto ka gjasa, do të humbë perspektivën e partisë nacionale dhe Ramush Haradinaj me gjasë duhet t’i shkurtojë ambiciet e veta, ndonëse ka mundësi që të mbetet kingmaker për pushtetin qendror.”

Shkëlzen Maliqi rikujton se qytetet e mëdha, pos Prishtinës, kanë ndryshuar pushtetin nga disa herë, dhe kjo tendencë po vazhdon.

“Çudi mbetet Prishtina, ku LDK’ja vazhdon të jetë dominuese, ndonëse Isa Mustafa nuk ka qenë aq bindës si herëve tjera.”

“Nëse do të kishte një bllok opozitar kundër tij, në këtë rast rreth Shpend Ahmetit, Isa Mustafa do ta humbte balotazhin. Kjo nuk përjashtohet!”

Por, çfarë ndikimi mund të kenë këto zgjedhje lokale në zgjedhjet e ardhshme parlamentare?

Maliqi mendon se është herët që të bëhen analizat për ndikimin.

“Sigurisht se ka lëvizje, por nëse raporti i forcave mbetet përafërsisht si sot, do të kemi sërish Qeveri koalicioni që drejtohet nga PDK.”

“Por, koalicioni sërish mund të jetë i madh, PDK-LDK, ose me kingmakerin, që nuk është e thënë të jetë Ramush Haradinaj, por mund të bëhet edhe Lëvizja Vetëvendosje, nëse nxjerr mësime nga suksesi i Shpend Ahmetit.”