“Fitorja e Nismës në Malishevë e padiskutueshme”

Nisma për Kosovën ka përmbyllur fushatën në Malishevë në një tubim madhështor. Në sallën e stërmbushur me njerëz, partia e Fatmir Limajt shkon sigurt drejt fitores në zgjedhjet e balotazhit të 19 nëntorit.

Lajme

17/11/2017 22:02

Kryetari i Nismës për Kosovën, Fatmir Limaj ka thënë se sa herë që kanë drejtuar projekte ka fituar Malisheva dhe Kosovë dhe jo grupet e vogla të interesit.

Limaj ka thënë se janë bërë të gjithë bashkë për t’i  dhuruar fitoren Malishevës. Askush dhe asgjë, sipas tij, nuk mund të ndalë zhvillimin e kësaj komune.

“Është vullnet dhe dëshire e të gjithë qytetarëve që ta shohin Malishevën si një nga komunat më të rëndësishme të Kosovës. Malisheva do të drejtohet nga njeriu, i cili ka qenë çdo kohë dhe gjithmonë pranë komunës se vet. Malisheva i ka thënë jo qeverisjes enigmatike të grupacioneve i ka thënë jo në vitin 2013, 2014 dhe 2017 do ta vulosë më 19 nëntor. Ka ardhë koha e njerëzve punëtor të cilët nuk mashtrojnë e gënjejnë. Ka ardhur koha e njerëzve që shërbejnë për qytetarët e komunës se vet”, ka thënë Limaj.

Tutje, Limaj ka thënë se nuk do të dorëzohet përkundër kurtheve qe i janë bërë në vazhdimësi.

“Në vend që të turpërohen për montazha ata provojnë të mashtrojnë njerëz të rinj. Llapusha dhe gjithë qytetarët e Malishevës treguan se më 22 tetor e duan Nismës në qeverisje. Kandidati ynë ka marrë vota më shumë se krejt ata bashkë. Fituesi dihet, 19 nëntori është vula që një herë e mirë kurrë e keqja të mos kthehet në komunën e Malishevës”, ka shtuar Limaj.

Nuk ka asgjë më të mirë, sipas tij, se sa të rreshtohesh për të punuar për të mirën e vendlindjes. Limaj i ka ftuar qytetarët që të dielën të dalin në mënyre masive të votojnë dhe të kontribuojnë jo vetëm vulosjen e fitores se Nismës, por edhe vulosjen e një komunë të lirë dhe demokratike.

“Malishevën dhe Kosovën e presin projekte të mëdha. Ne do të vazhdojmë t’i shërbejmë fuqishëm Malishevës dhe Kosovës. Askush nuk mund ta ndalë perspketiven e të rinjve dhe të rejave të komunës se Malishevës”, ka shtuar Limaj.

E, kandidati i Nismës për Kosovën, Ragip Begaj ka thënë se nuk do ta shkelë asnjëherë vullnetin e qytetarëve të Malishevës. Begaj ka thënë se nuk ka forcë që mund ta ndalë fitoren e Nismës në Malishevë.

“Për katër vite i kemi përfunduar 400 projekte. I kemi ndërtuar 15 shkolla dhe 120 km rrugë. Po ashtu një serë projektesh tjera. Ne do të ecim bashke në suksese tjera. Tani e kemi përkrahjen edhe të nivelit qendror. Kjo është fitore e Malishevës. Urime të gjithëve”, ka thënë Begaj.

Kryetari i Këshillit Kombëtar të Nismës për Kosovën, Jakup Krasniqi ka thënë se Malisheva i ka 1001 arsye të qëndroj pas Nismës dhe Fatmir Limajt.

Krasniqi ka thënë se të dielën qytetarët e Malishevës e kanë për obligim dhe nderë të votojnë për Ragip Begajn.