Fiton Zvicra e shqiptarëve

Zvicra ka debutuar me fitore, në Botërorin 2014. Helvetikët e mposhtën Ekuadorin, 2:1. Mehmedi dhe Seferovic ia sollën tri pikë të vlefshme ekipit të Ottmar Hitzfeld.

Sport

15/06/2014 20:53

Zvicra ka fituar në ndeshjen e parë në Botërorin 2014. Helvetikët e mposhtën Ekuadorin, në kuadër të Grupit E, në ndeshjen e zhvilluar të dielën mbrëma.

Valon Behrami, Xherdan Shaqiri dhe Granit Xhaka kanë luajtur nga minuta e parë, ndërsa Admir Mehmedi u inkuadrua në lojë në fillim të pjesës së dytë.

Ishte pikërisht sulmuesi nga Gostivari ai i cili e shënoi golin e parë për ekipin e Ottmar Hitzfeld, falë golit të realizuar në minutën e 48-të me kokë, pasi e mori një top nga e majta nga Rodriguez.

Fillimisht, ekuadorianët kishin kaluar në avantazh përmes sulmuesit Enner Valencia, që po ashtu shënoi me kokë.

Haris Seferovic ia solli tri pikë Zvicrës, falë golit të shënuar në minutën e fundit, pasi e mori një top nga Behrami, i cili paraprakisht e shpëtoi një gol.

Duhet cekur se në këtë ndeshje nuk u paraqit fare mesfushori tjetër shqiptar, Blerim Xhemajli.