Fitojmë ne, fiton populli

Shpend Ahmeti premton se do ta shesë veturën zyrtare Audi Q7 të Kryetarit të Komunës në ditën e parë të punës së tij. Dhe u thotë “hajnave dhe të korruptuarve” të frikësohen nga fitorja e tij. Albin Kurti fton për dalje masive në zgjedhje.

Lajme

26/10/2013 13:17

Vetura zyrtare e Kryetarit aktual të Komunës së Prishtinës, Isa Mustafa, Audi Q7 nuk i hyn në punë Shpend Ahmetit. Ajo do të jetë “viktima” e parë e largimit nga funksionimi, nëse kandidati i Vetëvendosjes votohet më 3 nëntor për ta drejtuar Kryeqytetin në katër vjetët e ardhshme.

Në një tubim në Prishtinë, Shpend Ahmeti shpalosi sot planin e tij për qeverisje me popullin dhe për popullin, ndërsa akuzoi Isa Mustafën për luksin që, sipas tij, ia ka krijuar vetes, madje duke shkuar në punë me veture luksoze sado që shtëpinë e tij dhe ndërtesën e komunës i ndajnë vetëm 300 metra.

“Vetëm në komunën e Prishtinës kemi 35 mijë njerëz me asistencë sociale dhe kemi një kryetar komune që shëtitet me veturë Audi Q7. Në mëngjes, te dera e shtëpisë së tij, kjo veturë e pret këtë kryetar komune ta çojë në vendin e punës, vetëm 300 metra larg shtëpisë. Puna e parë që do ta bëj është ta shes këtë Audi Q7”, ka thënë Ahmeti.

Ai ka folur për ato që i ka quajtur përparësi të Lëvizjes Vetëvendosje në krahasim me subjektet tjera në qeverisje.

“Më 3 nëntor, fitorja jonë nuk do të jetë fitore e Lëvizjes Vetëvendosje, por fitore e popullit të Kosovës përmes Lëvizjes Vetëvendosje”.

“Lëvizjen Vetëvendosje do ta kem opozitën më të fortë në komunë. Kjo Lëvizje, përveç se jep mundësinë, kujdeset se mos gabon. E gabimet përherë janë të mundshme”.

“Vetëvendosje nuk është si të tjerat, nuk ka qenë si të tjerët as si opozitë, nuk do të jetë si të tjerët as kur do të jetë në qeverisje”.

“Fillet e politikës janë në komunë. Komuna është vendi i parë ku qytetarët ballafaqohen me pushtetin. Këtu do të fillojë ndryshimi. Ne komunë tonë. Pastaj, do ta bëjmë ndryshimin në shtetin tonë”.

“Bujqit në Barilevë nuk kanë ku t’i shesin produktet në Prishtinë. Tregu i Prishtinës është bërë si tregu i Kandaharit. Ne do ta bëjmë tregun e prodhimeve vendore. Nuk mund ta diskriminojmë domaten e Barilevës në favor të domates së Turqisë. Nuk mund ta diskriminojmë qepën vendore në favor të qepes së Egjiptit”.

Ai ka thënë se askush, përveç “hajnave dhe të korruptuarve”, nuk duhet të frikësohet nga ardhja e Vetëvendosjes në pushtet në Prishtinë.

Por, salla ka plasur nga të qeshurat kur Ahmeti përmendi prezantimin e planit të Isa Mustafës për transportin publik, një ditë më parë në Prishtinë.

“Këta jo vetëm që nuk dinë të menaxhojnë, por i shkatërrojnë kompanitë publike në mënyrë që t’i privatizojnë. E kanë shkatërruar kompaninë e transportit publik dhe kanë humbur donacione të shumta për këtë kompani”.

“Këta mendojnë vetëm për pushtet dhe sa herë u rrezikohet karrigia, këta bëhen kinse të mirë për qytetarë.

“Ne duhet t’u tregojmë se kryetari i komunës duhet të punojë katër vjet, e jo vetëm në 30 ditët e fushatës”.

Dhe në këtë drejtim, ai ka thënë se, nëse zgjidhet kryetar i Prishtinës, do ta lë punë e vetme që aktualisht mban, atë të ligjëruesit në Universitetin Amerikan të Kosovës.

Ndërsa Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ka thënë se kjo Lëvizje në thelb të orientimit të vet e ka zbutjen e pabarazisë sociale.

“Nuk ka ndërtime pa vendbanim dhe nuk ka vendbanim pa infrastrukturë paraprake. Prishtina shkatërrohet kështu siç është duke u ndërtuar, pa plan e kundër ligjit”.

“Alternativa qeverisëse lokale për Prishtinën e transformon Prishtinën ashtu siç nuk e keni parë asnjëherë, me pushtet të departizuar dhe transparencë maksimale”.

“Prishtina do të ketë ujë, sepse do të identifikohen dhe sanohen të gjitha humbjet në rrjet. Prishtina do të ketë gjelbërim. Në Prishtinë çdo fëmijë do ta ketë një dollap të vetin në shkollë dhe një shujtë falas për nxënës të ciklit të ulët”.

“Shpend Ahmeti nuk është në këtë garë që ta marrë stafetën prej Isa Mustafës, ashtu siç Isa Mustafa e Ramush Haradinaj po presin ta marrin stafetën prej Hashim Thaçit”.

Albin Kurti ka ftuar që ditën e zgjedhjeve të dilet masovikisht në votime. Ka porositur secilin votues të Vetëvendosjes që ditën e votimve t’i marrë së pakku me vete edhe 8 persona të tjerë dhe bashkë të shkojnë për ta kryer obligimin qytetar.

“1×8 – ndryshon vërtet.”

“Nëse në zgjedhje dalin 30 përqind, ne nuk do të mund të fitojmë. E nëse në zgjedhje dalin mbi 50 përqind ne qind për qind fitojmë”.

“Kur fitojmë ne, fiton populli dhe nis puna. Kur fitojnë të tjetët, humb populli dhe mbaron puna”.

“Partitë e tjera janë opsione që nuk janë as zgjedhje as zgjidhje. Në Europë ka parti politike ku fraksionet brenda tyre dallojnë më shumë se PDK, LDK e AAK. Më e drejtë se të thuhet PDK, LDK a AAK është të thuhet PDLAK”.

“Këto janë parti që i bashkon vetëm pazari me Serbinë, krimi i pasluftës dhe flamuri i ‘Kosova Petrolit’, të cilin këta edhe ashtu nuk e mbajnë sepse e kanë zëvendësuar me flamurin partiak. Vetëvendosje nuk ka flamur partie, sepse i vetmi flamur është ai kombëtar”, ka thënë Albin Kurti.