Fitoi shuma të mëdha parash nga vdekja e shqiptarit

Pronari i një krani gjigant që vrau dy punëtorë ndërtimorë kur u rrëzua në Upper East Side, Manhattan, New York City, më 2008 u detyrua të pranonte në gjykatë të enjten se ka pranuar me qindra-mijëra dollarë pas tragjedisë.

Lajme

12/12/2014 17:13

Manjati i ndërtimeve, James Lomma, po dëshmonte në rastin për vdekjet e dy punëtorëve, rast ky i hapur nga familjet e operuesit të kranit nga Staten Island, Donald Leo dhe punëtorit të lindur në Kosovë, Ramadan Kurtaj.

“Në rrëzimin e kranit në rrugën 91st Street ku u vra klienti im dhe Donald Leo, ju keni përfituar 665,000 dollarë nga sigurimi”, i ka thënë Lommas avokatja e Kurtajt, Susan Karten, transmeton koha.net.

Ndërkaq Lomma u përgjigj: “Nuk jam në dijeni për këtë”.

Por më pas Karten projektoi një imazh gjashtë-shifror të një fature sigurimi në ekran që ta shoh edhe gjykatësi, dhe sërish e pyeti atë: “A nuk është e vërtetë se keni kërkuar dëmshpërblim për kranin tuaj Kodiak nga kompania e sigurimeve pas kësaj ngjarjeje dhe keni pranuar 665,000 dollarë?”

Lomma më në fund e pranoi, “Mund të ketë ndodhur”.

E veja e Ramadanit, Selvie Sinanoviq, që qëndronte e ulur në sallën e gjykatës gjatë dëshmisë, u trondit.

“Uau”, tha Sinanoviq, 27-vjeçe, për “New York Post” kur mori vesh se sa kishte fituar Lomma nga sigurimi. “Këtë nuk e dija”.

“Kjo është çmenduri. Është tmerr”, tha ajo me zemërim.

Lomma, shef i korporatës “New York Crane and Equipment Corp.”, dëshmoi se ka paguar vetëm rreth 400,000 – 500,000 dollarë kur e kishte blerë kranin Kodiak më 1984, por të dhënat tregojnë se në kompaninë e sigurimeve e ka deklaruar atë në vlerë prej 1.1 milionë dollarësh.

Lomma kishte provuar të fitonte edhe rreth 1.2 milionë dollarë tjera nga kjo fatkeqësi, duke i paraqitur një faturë edhe kompanisë që kishte punuar projektin “Sorbara”.

Familjes e Leos dhe të Kurtajt kanë ngritur padi për vdekje të dyshimtë më 2008 kundër Lommas dhe kompanive tjera të përfshira në vendin ku po ndërtohej.

Lomma, 69-vjeç, i cili veten e quan “Mbret i Kraneve”, ishte liruar nga akuzat penale.