Fisnik Ismaili mbetet pa pozitë brenda PSD-së

Deputeti i Grupit të Deputetëve të Pavarur, në kuadër të Partisë Social-Demokrate, Fisnik Ismaili është njëri nga figurat më të përfolura të aktivistëve të dorëhequr të Lëvizjes Vetëvendosjes, të cilët kaluan në PSD.

Lajme

24/05/2018 23:28

Mirëpo, në mbledhjen e Këshillit Drejtues të PSD-së, të mbajtur sot, Ismaili nuk është zgjedhur në asnjë funksion zyrtar brenda partisë.

Ismaili nuk kishte funksion as brenda Lëvizjes Vetëvendosje në të shkuaren; në VV ai ishte vetëm anëtar i Këshillit të Përgjithshëm.

Përmes një njoftimi për medie të lëshuar sot, PSD ka njoftuar se Këshilli Drejtues i partisë ka zgjedhur kryesinë e re dhe dy nënkryetarë. Në kryesinë e PSD-së janë zgjedhur edhe ish-kryetarët e partisë në të kaluarën, Bajram Kelmendi dhe Kaqusha Jashari.

Në Kryesinë e PSD-së po ashtu janë zgjedhur deputetët Dardan Molliqaj, Driton Çaushi e Besa Baftiu. Ndërkaq, nënkryetarët e zgjedhur sot janë kryetari i Kamenicës, Qëndron Kastrati dhe deputeti Dukagjin Gorani.