Fisnik Halimi i bashkohet PDK-së

Politologu Fisnik Halimi, i cili më herët ka qenë pjesë e subjektit politik “Ora” dhe i shoqërisë civile, i është bashkuar sot Partisë Demokratike të Kosovës. Atë e priti Kryatari i PDK-së, Hashim Thaçi.

Lajme

23/03/2014 10:33

Ish- anëtari i subjektit politik “Ora” dhe aktivisti i shoqërisë civile, Fisnik Halimi, i është bashkuar sot PDK-së.  Kryetari i PDK-së, Hashim Thaçi, pasi i ka uruar mirëseardhje në parti, ka thënë se Fisnik Halimi është një “ndërmarrës i suksesshëm”.

“Dëshiroj që sot t’i uroj mirëseardhje një anëtari të ri të ekipit tonë. Mirëpres të punojmë në vitet në vijim me Fisnik Halimin, një aktivist i mëhershëm shoqërisë civile dhe skenës politike. Sot Fisniku është edhe ndërmarrës i suksesshëm, por edhe është në përfundim të doktoratës në universitetin prestigjioz të Sorbonës në Francë.”

Thaçi ka thënë se tani ka ardhur koha për t’i bashkuar forcat.

“Siç e dini, në të kaluarën unë dhe Fisniku i kemi takuar poleve të ndryshme të politikës, por tani qëndrojmë së bashku ngase të gjithë po e kuptojmë se koha ka ardhur t’i bashkojmë forcat qytetare për zhvillimet që na presin. Unë kam pasur fatin që të jem në krye të këtij misioni të ri. Por, sinqerisht besoj se çdo kosovar duhet të na bashkohet në këtë drejtim”, ka thënë Thaçi.”

Ndërkaq, Fisnik Halimi, ka thënë se është kënaqësi të jetë pranë liderit të PDK-së, për t’i bashkuar forcat për të ecur drejt një Kosove edhe më të mirë.

“Uroj që së bashku me forca të reja të ecim drejt fitoreve të reja, drejt arritjes së caqeve edhe më të rëndësishme që e presin përpara vendin tonë. Besoj se me shumë kolegë dhe miq nga jeta publike, nga shoqëria civile, nga ish-organizata ime politike do të ia arrijmë t’ju ndihmojmë t’i arrijmë caqet e përbashkëta, në mënyrën më të mirë”, ka thënë Halimi.