Firma gjermane që u përzu nga Kosova, punëson 4,900 maqedonas

Oda Ekonomike ka dërguar një njoftim për media, me anë të të cilit thotë se shqiptarët duhet të mësojnë nga Maqedonia, eksportet e së cilës janë më të mëdha se të Shqipërisë dhe Kosovës së bashku.

Lajme

21/08/2014 19:57

Kosova të mësojë edhe nga Maqedonia se si të motivojë investitorët e huaj e në veçanti ata evropianë dhe të rritë eksportet, thuhet në kumtesën e OEK-ut, ku flitet për stërngarkimin e Kosovës me politik, kurse fare pak bisedohet për aktualitetin ekonomik.  

“Deri sa në Kosovë humbet kohë në kërkim të arsyeve për dështim, të tjerët gjejnë rrugë për të arritur synimet e zhvillimit ekonomik. Duhet të mësojmë nga të tjerët dhe përvojat e të tjerëve në këtë drejtim, kurse qasja e Maqedonisë në këtë drejtim duhet të analizohet mirë nga të gjithë ne”.

Në vijim ceket se ky shtet fqinj në jug të Kosovës nga janari deri në maj të këtiojn viti ka eksportuara mallra në vlerë 1.45 miliardë euro, ndërkohë që Shqipëria ka realizuar vetëm 770.118 milionë dhe Kosova 113.864 milionë euro eksport.

“Vetëm nga zonat industriale në lindje të Shkupit, eksporti i kalon 550 milionë euro në periudhën janar – maj 2014, dhe është dy herë më i lartë sesa eksportit gjatë së njëjtës periudhë të vitit 2013. Në këto dy zona, që nga viti 2009 është duke prodhuar edhe prodhuesi gjerman i pajisjeve elektronike për vetura, Draexlmaier Automotive Eletronics, i cili në verën e vitit 2008 pati tentuar të instalohet në zonën Prishtinë-Fushë Kosovë, ku parashihet të punësonte menjëherë 100 e mëpastaj edhe 500 punëtorë”.

Por pas përpjekjeve tremuajshe në këtë drejtim prodhuesi gjerman hoqi dorë dhe u orientua nga Maqedonia. Në qershor të këtij viti, pronarët e Draexlmaier Automotive Eletronics shpallën njoftimin për hapjen e linjës së dytë të prodhimit këtë vit, e për të rritur numrin e të punësuarve nga 4,300 sish në 4,900 deri në fund të vitit, me paga mesatare të vendit. E njëjta ndërmarrje gjermane tashmë ka edhe dy linja prodhimi në Serbi, sepse edhe atje, sikur edhe në Maqedoni, ka gjetur gjuhë të përbashkët dhe interes për të prodhuar.